Sekretari i kryeministrit, Engjëll Agaçi u paraqit sot në SPAK për t’u marrë në pyetje lidhur me inceneratorët, por për Sali Berishën, është shumë vonë.
Ish-kryeministri ka gjetur rastin që nga protesta e tij, ku qëndron nën arrest shtëpie po me kërkesë të SPAK, të sulmojë kreun e këtij institucioni, Altin Dumanin.
Sipas Berishës, Dumani u kujtua shumë vonë për të thirrur në SPAK, Agaçin, që ai e quan si “një prej eksponentëve më mafiozë të pushtetit”.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
Sot, njëri nga eksponentët më mafiozë, më të zi të pushtetit, Don Agaçio Dhuratmadhi, pas protestave tuaja të fuqishme, u thirr në Skrapin e partisë.
T’i drejtojmë një pyetje Altin Zamanit: po nuk ke turp mo që e thërret pas katër vitesh njeriun që ka mbledhur për djegësin 17 firma në 24 orë?
Njeriun, mafiozin që si kurrë në historinë e këtij shteti, ka nxjerrë 9 vendime në 8 orë, për vendimin e djegësit.
I ka publikuar të nesërmen në Fletoren Zyrtare sikur të ishte emergjenca e të gjitha emergjencave.
Ky është një mafioz i zi, i cili ka firmën e tij mbi prokurimin e ndaluar me ligj, prokurimin me negociata të mbyllura.