“Bashkitë në ‘xhepa’ të Ekzekutivit”/ Kritikat e Pjerin Ndreut për kompetenca, ja si i përgjigjet ministri Demo!

24 April 2026, 10:49Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Bashkitë në ‘xhepa’ të Ekzekutivit”/
Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo

U zhvillua sot mbledhja e radhës së Këshillit të Ministrave, ku janë marrë disa vendime dhe kaluar projektligje.

Një prej diskutimeve dhe vendimeve ka qenë përcaktimi i 40 bashkive si zona prioritare deri tani për Paketën e Maleve dhe që kanë dorëzuar dokumentacionet, teksa vijon puna për 4 bashki të tjera dhe procesi për ato që kanë mbetur pas.

Në daljen për mediat që bëri ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, u shpreh se:

“40 bashki me zona prioritare që kanë paraqitur dokumente dhe janë shpallur zona prioritare për Paketën e Maleve. Ky proces do vazhdojë javë pas jave edhe me bashki të tjera. Bashkitë janë duke konstatuar interes të shtuar. Edhe me 4 bashkitë e fundit do vazhdojmë me punën”.

Ministri u pyet nga gazetarët edhe për Reformën Territoriale, si dhe dëgjesën që u bë në qytetin e Lezhës nga Komisioni i Reformës dy ditë më parë.

Pyetja lidhej me vërejtjet e kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreu, që nfriti disa problematika, duke konstatuar sipas pyetjes së gazetares se “Bashkitë po kthehen në xhepa të qeverisë”, nëpërmjet zvogëlimit të kompetencave.

“Më vjen mirë së pari që ky proces ka filluar, do doja të kishte nisur edhe më parë. Duke u takuar dhe përfshirë qytetarë, bashki, këshilla bashkiakë, që të japin qëndrimet e tyre për të parë ato që u bënë me reformën e vitit 2015 dhe për t’i diskutuar. Ka shumë çështje nga ato që ka ngritur edhe kryebashkiaku i Lezhës, e që lidhen me funksionet e bashkive. Duhet të shkojë përtej debatit për numrin e bashkive, por rëndësi ka funksionimi i tyre. Kuptohet se qeveria qendrore nuk do bjerë dakord me bashkitë dhe kjo është një gjë normale që ndodh në të gjitha vendet e botës. Nëse i marrim reformat me radhë, ajo e ujësjellësave apo e menaxhimit të territorit, patjetër ka qëndrime të ndryshme. E rëndësishme është që ne të garantojmë që bashkitë të garantojnë me ato çfarë kanë kompetenca të deleguara apo që burojnë nga ligji apo ato që do sjelli nesër reforma, ne të garantojmë që bashkitë të jenë më të forta në funksion dhe shërbimin në territor. Nuk presim që të bien dakord në pushtetin vendor, ka qëndrime të ndryshme, unë kam qenë vetë kryetar bashkie”, tha Demo mes të tjerash në përgjigjen e tij.

“Funksionet e bashkive janë shumë të rëndësishme për t’u marrë në konsideratë, duhet të shkojë më tej debati numri i bashkive më shumë apo më pak. Në fakt duhet fokusuar te ato se cilat janë funksionet e bashkive”.

Më tej ministri u shpreh se qeveria ka interes që bashkitë të kenë kompetenca dhe garanci ligjore për të qenë më të forta dhe më funksionale.

Ai dha edhe një afat se kur mbyllen këto dëgjesa në rrethe me pushtetin vendor, qytetarët dhe faktorë të tjerë.

“Unë besoj se në javët që kemi përpara dhe në mos gaboj agjenda që ka tashmë të miratuar Komisioni, deri në fund të majit përmbyllet turi në të gjitha qarqet e vendit dhe patjetër që ne do dëgjojmë shumë qytetarë të tjerë dhe jo vetëm dhe aktorë të tjerë në territor, që mund të kenë qëndrime të ndryshme përsa i përket reformës së fundit por edhe përsa i përket elementëve të cilët duhen parë dhe marrë në konsideratë gjatë procesit në Komisionin e Posaçëm”, përfundoi Demo.


Video