Berisha reagon për vdekjen e Rexhep Qosjas: Kishim mendime të kundërta dhe mospajtime, por i jam mirënjohës për një gjë

23 April 2026, 21:13Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Berisha reagon për vdekjen e Rexhep Qosjas: Kishim mendime të

Sali Berisha ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ikjen e akademikut dhe intelektualit të shquar të kombit shqiptar, Rexhep Qosja.

"Akademiku Rexhep Qosja mbyll sytë përgjithmonë. Të dashur miq, dielli perëndoi përgjithmonë për akademikun Rexhep Qosja. Kultura, mendimi letrar dhe shoqëror e politik shqiptar, polemika dhe letrat shqipe humbën një kollos të tyre, autor të një seri veprash në këto fusha", shkruan ai.

Sali Berisha thotë se pavarësisht se ka patur kundërshti, mospajtime dhe vlerësime të ndryshme me Prof. Rexhep Qosen, ka ruajtur dhe do ruajë gjithmonë respektin dhe mirënjohjen ndaj tij. Veçanërisht, thotë ai, për kohën kur Qosja ishte zëri publik i vetëm i fuqishëm i shqiptarëve pa zë e të shtypur të Kosovës nga pushtuesi serb.

Gjithashtu, lideri demokrat kujton dhe më vonë, për mbështetjen e palëkundur që akademiku i dha UÇK, por edhe qëndrimet e tij kritike ndaj zhvillimeve në Kosovë dhe në Shqipëri.

"Me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, familjes miqve të afërmve dhe autoriteteve të Kosovës. I qoft dheu i lehtë i tokës amë", përmbyllet telegrami i ngushëllimit i Sali Berishës, për familjen Qosja.

Postimi i plotë:

Akademiku Rexhep Qosja mbyll sytë përgjithmonë.

Të dashur miq, dielli perëndoi përgjithmonë për akademikun Rexhep Qosja.

Kultura, mendimi letrar dhe shoqëror e politik shqiptar, polemika dhe letrat shqipe humbën një kollos të tyre, autor të një seri veprash në këto fusha.

Pavarësisht nga kundërshti, mospajtime dhe vlerësime të ndryshme që kam patur me Prof. Rexhep Qosen kam ruajtur dhe do ruaj gjithmonë respektin dhe mirënjohjen time ndaj tij veçanërisht për kohën kur ai ishte zëri publik i vetëm i fuqishëm i shqiptarëve pa zë e të shtypur të Kosovës nga pushtuesi serb dhe më vonë për mbështetjen e palëkundur që i dha UÇK por edhe qëndrimet e tij kritike ndaj zhvillimeve në Kosovë dhe në Shqipëri.

Me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, familjes miqëve të afërmëve dhe autoriteteve të Kosovës. I qoft dheu i lehtë i tokës amë.


Video