Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar sot me një delegacion zyrtarësh të lartë nga Ukraina, të cilëve u ka shprehur “mbështetjen për guximin në përballjen me agresionin rus”.
Basha thotë se ka dorëzuar në Këshillin e Europës një rezolutë që në thelb rekomandon që Rusia të paguajë për dëmet e shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës, dhe kjo mund të bëhet edhe përmes sekuestrimit të pasurive ruse jashtë vendit.
Mesazhi i Bashës:
Kënaqësi të prisja në PD delegacionin nga Ukraina ne përberje te cilit ishin deputetë, ekspertë të çështjeve politike, opiniinistë dhe aktivistë.
Ju shpreha atyre mbështetjen time dhe të PD për udhëheqjen dhe popullin e Ukrainës, të cilët vazhdojnë të përballen me guxim heroik me agresorët rusë. Këto janë ditë të errta jo vetë për Ukrainën por dhe për botën demokratike, e cila po përballet me tentativën e tjetërsimit me luftë të tërësisë teritorale të një shteti sovran e të pavarur.
Përgjegjësia për krimet dhe dëmet e shkaktuara në Ukrainë nga agresioni i paprovokuar i Rusisë, është i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe duhet të paguajë për të.
Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e paligjshme të Federatës Ruse, ky është dhe thelbi i rezolutës së propozuar prej meje në Këshillin e Europës dhe që ka një mbështetje të gjerë nga vendet antare të kësaj organizate.