
Ish Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Agim Nesho, ka përdorur njohjet e tij për të botuar një artikull kundër Kryeministrit Edi Rama në prestigjozen amerikane Fox News.
Duke e cilësuar si "Ramaduro", një krahasim me presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro, Nesho thotë se Kryeministri Rama është autokrati i fundit në Europë, i trajnuar nga filantropi George Soros dhe që është kundër presidentit Donald Trump.
Artikulli përfundon me thirrjen se "është koha që diplomacia amerikane të ndërmarrë hapa konkretë. Kjo do të thotë rritje e presionit mbi udhëheqjen e Shqipërisë dhe mbështetje publike për zgjedhje të lira dhe të ndershme."
Nuk dihet nëse është paguar për publikimin e këtij artikullit, ose është pjesë e kontratës së lobimit të Partisë Demokratike në SHBA.
Por me siguri dihet që Fox News është pjesë e Fox Corporation dhe u krijua në vitin 1996 nga Rupert Murdoch dhe Roger Ailes.
Kjo media njihet për prirje konservatore, pra shpesh është më afër pikëpamjeve të Partisë Republikane, ku bën pjesë dhe presidenti Donald Trump.
Më poshtë artikulli i plotë:
Ndërsa Europa pretendon të mbrojë demokracinë, ajo në heshtje fuqizon autokratë si kryeministri shqiptar Edi Rama.
I zgjedhur për mandatin e katërt me një shumicë të fuqishme që mund të ndryshojë Kushtetutën, Rama njihet nga kritikët si "Ramaduro" i Evropës — një referencë për Nicolás Maduron e Venezuelës për korrupsionin e dyshuar, tendencat autokratike dhe mjeshtërinë në mashtrimin politik.
Ish-dishepulli i George Soros dhe ‘Shoqërisë së Hapur’, Rama është shndërruar në një kameleon politik duke formësuar imazhin e tij për t’iu përshtatur interesave të elitave globale dhe sundimtarëve rajonalë.
I nënshtruar ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, bashkëpunues me presidentin turk Recep Tayyip Erdo?an dhe mbështetës i presidentit francez Emmanuel Macron në këmbim të influencës më të madhe në Ballkan, Rama siguroi mandatin e katërt radhazi përmes zgjedhjeve që shumë i përshkruajnë si thellësisht të manipuluara e paimagjinueshme për një anëtar të NATO-s dhe shtet aspirant për BE-në.
Rama u ngrit nga përfaqësues i ‘Shoqërisë së Hapur’ në Tiranë në udhëheqës të një vendi me një prej trashëgimive më brutale komuniste në Evropë.
Kritikët e përshkruajnë si narcist dhe anarkist, ai shihet si produkt i influencës post-komuniste të Sorosit në Europën Lindore.
Ai konsolidoi pushtetin në Shqipëri duke promovuar iniciativën "Ballkani i Hapur" të mbështetur nga Soros. Kohët e fundit, ka marrë një rol të ri: si socialisti progresist që punoi për të minuar iniciativat e epokës Trump në Evropë.
I njohur për retorikën anti-Trump përfshirë deklaratën e famshme në CNN dhe Foreign Policy, ku e quajti Trump "turpin e qytetërimit tonë" Rama u bë i preferuari i elitave evropiane dhe demokratëve amerikanë. Mbijetesa e tij politike varej nga përshtatja me rendin anti-Trump, edhe pse udhëheqja e tij brenda vendit po shkon drejt autoritarizmit.
Sot, ndërsa Europa përballet me një botë multipolare dhe sfida komplekse gjeopolitike, ajo gjithnjë e më shumë toleron nëse jo edhe përqafon udhëheqës si Rama. Pse? Sepse ai deklaron besnikëri ndaj "vlerave evropiane," megjithëse drejton, sipas kritikëve, një shtet narkotik të ndërtuar mbi krim të organizuar dhe manipulim elektoral.
Rama përfaqëson një version evropian të modelit Chávez-Maduro: një autokrat i majtë i mbuluar me gjuhë progresiste, që ushtron pushtet pa shumë respekt për normat demokratike.
Ai mishëron stabilokracinë që po shkatërron Ballkanin — regjime të toleruara për hir të qetësisë rajonale, edhe pse shkatërrojnë vetë ato vlera që Europa pretendon t’i mbrojë.
Përpjekja e fundit e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të bllokuar rinovimin e kontratës së Chevron-it në Venezuelën e Maduro-s është një shembull guximtar i lidershipit me parime duke i mohuar regjimeve autoritare legjitimitetin dhe burimet. Amerika duhet të tregojë të njëjtën qartësi edhe ndaj Ballkanit.
Madje shumë shqiptarë tashmë e quajnë udhëheqësin e tyre "Ramaduro" një sinjal i dëshpëruar për ndihmë nga SHBA për rikthimin e demokracisë.
Pozicioni i Amerikës duhet të jetë një zgjim për Evropën, e cila është mësuar të bashkëjetojë me regjime mafioze të bazuara në korrupsion dhe shtypje.
Evropa nuk mund të justifikojë mbështetjen ndaj autokratëve vetëm sepse kritikët e tyre janë konservatorë apo të lidhur me Presidentin Trump.
Është koha që diplomacia amerikane të ndërmarrë hapa konkretë. Kjo do të thotë shtim presioni ndaj udhëheqjes shqiptare, mbështetje publike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe një mesazh të qartë: Përputhja me vlerat perëndimore matet me veprime, jo me deklarata boshe./FoxNews