A është reagimi i PD ndaj Ballukut një lojë e shitur? Salianji zbulon prapaskenat në kryesinë e PD-së

4 Dhjetor 2025, 22:05Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ervin Salianji

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka sqaruar sonte më shumë lëvizjen e tij brenda Partisë Demokratike.

Salianji tha se Partia Demokratike nuk është në gjendjen e saj më të mirë. Sipas tij, ka disa ngjarje që kanë ndodhur në këtë vend, duke vënë theksin te çështja ndaj Belinda Ballukut dhe tha se reagimi i partisë ka qenë apatik.

“Shqetësimi është që nuk ka një reagim siç duhet. Duhej të shkulej vendi zotëri. Për këtë rast duhej të shkulej i madh dhe i vogël. E keni parë për raste më të vogla korrupsioni çfarë ka ndodhur tani në Bullgari, çfarë ka ndodhur në Rumani. Jemi në kushtet ku PD-ja nuk ka fuqi reaguese apo jo”, tha Salianji në emisionin “Opionion”.

Ai theksoi se të nesërmen e ditës që Balluku është marrë e pandehur, Partia Demokratike ka vendosur të bëjë analizën e zgjedhjeve, teksa nënvizoi se ai ka qenë ndër të paktët që ka kërkuar protestë.

“Unë po them nuk ka fuqi të reagojë. Unë po them që unë kam kërkuar në mbledhje të Kryesisë ditën që u mor e pandehur (Belinda Balluku), të nesërmen PD-ja ka vendosur të bëjë analizën e vjedhjes së zgjedhjeve apo të humbjes së zgjedhjeve. Atë ditë unë kam qenë ndër të paktët që kam kërkuar që ne duhet të protestojmë fort. U fol kur e kërkova unë protestën. Pasi kam kërkuar unë është diskutuar protesta. E kam kërkuar unë”, tha Salianji.

“Ka qenë zv/kryeministër Ilir Meta. Ka dhënë dorëheqjen për një akuzë, por nuk e ndaloi opozitën e asaj kohe këtij vendi që të bënte atë që bënte. E mbani mend 21 janarin? Tani ne nuk jemi më të dobët. Unë mendoj që PD është më e fortë dhe reagimi që duhet të kemi në këto kushte është kjo”, shtoi ai.

I pyetur nga Blendi Fevziu nëse reagimi ndaj Ballukut është lojë e shitur, Salianji u përgjigj kështu: “Nuk i hyj asnjë teorie konspirative. Ne nuk reaguam në mënyrën e duhur”.

Salianji foli edhe për zgjedhjet e pjesshme, teksa tha se kandidatët që mbështeti PD-ja në të gjitha bashkitë nuk morën vota as sa për një mandat deputeti. Sa i përket protestave të përjavshme para Kryeministrisë për rrëzimin e qeverisë, Salianji ironizoi aksionin e selisë blu.

“Si? Duke folur dhe duke vënë muzikë para Ramës”, pyeti ai.

Ai tha se analizën në PD një ditë pasi zv/kryeministrja u mor e pandehur e ka shpallur partia.

“Cili është ndryshimi mes foltoreve që po bëhet atje dhe takimeve që po bëjmë ne. Analizën në PD nuk e kam shpallur unë një ditë pas kësaj, e ka shpallur partia. Ky ka qenë momenti që e kam nisur edhe unë këtë diskutim. Nuk e kam nisur në kulmin e skandalit. Takimet kanë nisur tre javë më vonë”, tha Salianji.

Madje ai bëri me dije se kunata e Ballukut ka qenë një ndër gjyqtarët që e ka dënuar me burg.

“Po të jetë për këtë logjikë unë mund të kem një arsye shtesë. E dini ju që kunata e kësaj zonjës më ka dënuar me burg apo jo? Ja po ta them unë. Një prej gjyqtareve që më ka dënuar mua dhe që kam bërë 9 muaj e kusur burg ka qenë kunata e Belinda Ballukut. Mos e çojmë këtë në ekstreme se pastaj janë budallallëqe me okë”, tha Salianji.

Ai theksoi se Partia Demokratike nuk reagoi në mënyrën e duhur. 

“Kontributi i PD-së dhe i çdo partie në opozitë është denoncimi padiskutim, ndërtimi i alternativës, por edhe një element tjetër. nuk jemi për të duartrokitur nga çfarë punë bën SPAK, por për të përfituar politikisht dhe të jemi aty si garant i interesit publik për të përfituar nga skandalet e qeverisë. Iku Veliaj, iku Balluku, iku Beqaj, iku Tahiri. Çfarë kemi kapitalizuar nga këto? Epo unë ti them këto gjëra”, tha Salianji.

Sipas tij, PD-ja duhet të motivojë strukturat dhe të kthejë meritat në parti. 


Video