Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmeve se qeveria e tij ka ndarë edhe 113 milionë euro për trajtimin dhe riciklimin e mbetjeve në Elbasan dhe Fier për dy vitet e ardhshme.
Rama thotë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, teksa ironizon ato që i quan media investigative, duke kërkuar që të informohen përpara se të dezinformojnë publikun.
Sipas disa raportimeve në media, për Elbasanin parashikohet një investim i ri prej 50.1 milionë eurosh, ndërsa për Fierin 63 milionë euro. Të dy projektet janë kategorizuar si të maturuara, çka nënkupton se është kryer studimi i fizibilitetit dhe janë në fazë të avancuar të përpilimit të dokumenteve teknike.
Por kryeministri Edi Rama thotë se shumat e përcaktuara në Dokumentin e Politikave Prioritare, nuk lidhen vetëm me buxhetin por edhe me financime alternative.
“Me këtë rast sqaroj se shumat e përcaktuara në këtë lloj dokumenti orientues janë shuma që nuk lidhen vetëm me buxhetin, po edhe me financime të mundshme alternative, ndërkohë që guri 100 e kusur milionësh s’ka asnjë lidhje as me këtë dokument, as me ndonjë vendim tjetër tonin”, shprehet Rama.
Reagimi i plotë:
Asaj shprehjes popullore, “hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur s’e nxjerrin dot”, po i bashkangjis si adresë Fletoren Zyrtare, ku çdo shejtanbudalla nga ata që e kanë nxjerrë nga nuk e di ku, se qeveria paskej vendosur 100 e kusur milionë për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit në Dokumentin e Politikave Prioritare, mund të gjejnë se çfarë ka vendosur në fakt në atë dokument qeveria në mbledhjen e miratimit të tij, e pastaj mund t’ia tregojnë publikut, ndërkohë që për sa na takon nuk kemi vendosur asgjë të tillë!
Me këtë rast sqaroj se shumat e përcaktuara në këtë lloj dokumenti orientues janë shuma që nuk lidhen vetëm me buxhetin, po edhe me financime të mundshme alternative, ndërkohë që guri 100 e kusur milionësh s’ka asnjë lidhje as me këtë dokument, as me ndonjë vendim tjetër tonin!
Në mbyllje, mediave “investigative” që marrin pjesë në hedhje gurësh në mexhelis, u lutem të mos harrojnë t’u drejtohen edhe burimeve zyrtare, qoftë edhe për të larë gojën, sepse mund t’i kursejnë vetes figurën e keqe të të keqinformuarit që keqinformon, ndërkohë që misioni i tyre është ta informojnë publikun duke e mbrojtur nga keqinformimi