Më 1 dhe 2 mars 2025, Vjena u bë skena e një konkursi ndërkombëtar kërcimi ("Vienna Dance Open), ku talenti, pasioni dhe arti u shfaqën në formën e tyre më të lartë. Në këtë event prestigjioz, mes dhjetëra shteteve të tjera, si Gjermania, Italia, Austria, Kroacia, Polonia etj., Shqipëria u përfaqësua me krenari nga grupet e "Rexhina Dance Academy", të cilat arritën suksese të jashtëzakonshme, duke ngritur lart flamurin shqiptar në zemër të Evropës.
Balerinët tanë konkurruan me dinjitet në arenën ndërkombëtare duke demonstruar profesionalizëm dhe përkushtim të lartë në çdo performancë.
Një prej momenteve mbresëlënëse ishin kërcimet e më të vegjëlve 5 -8 vjeç. Pavarësisht moshës së tyre të njomë, këta kërcimtarë të vegjël shfaqën një nivel profesionalizmi të jashtëzakonshëm. Me buzëqeshjen plot jetë, ata i dhanë një freski të veçantë skenës dhe një dimension unik konkursit.
Mësuesja Rexhina Çuko me aftësinë e admirueshme për të kombinuar lloje të ndryshme të zhanreve arriti të çante lehtësisht “barrierën” e një jurie të rreptë që shihte me detaj çdo lëvizje.
Nga ritmet e kërcimeve latine, si cha-cha, vals, jive dhe passo, deri tek vallet folklorike shqiptare të interpretuara plot finesë dhe ndjenjë, kërcimtarët shqiptarë dhuruan spektakël dhe emocione të papërsëritshme për publikun dhe jurinë.
Përkushtimi dhe pasioni për kërcimin u shpërblyen me çmime të merituara, duke i bërë fëmijët dhe akademinë krenarë.
Përveç disa çmimeve të para, të dyta dhe të treta në kategoritë që ata përfaqësonin, njëri prej grupeve u kualifikua në pesëshen finale të çmimeve të mëdha, “Gold Stars”.
Arritjet e këtyre fëmijëve dhe të rinjve në Vjenë janë një burim frymëzimi dhe një mesazh i fuqishëm se arti dhe pasioni nuk njohin kufij, duke dëshmuar edhe një herë se talenti shqiptar është gati të pushtojë botën.