Pas rreth një muaji qëndrimi në Itali, Ronela Hajati është rikthyer në Tiranë.
Pas përfundimit të Eurovisionit dhe pse nuk arriti të kualifikohej për në finale,
këngëtarja qëndroi duke zhvilluar koncerte nga më të ndryshmet.
Ronela e bëri të ditur rikthimin e saj nëpërmjet një postimi në Insta Story duke zbuluar se ka qarë shumë.
Sipas këngëtares tashmë ka ardhur koha që të sjellë sërish projekte të reja muzikore dhe nuk ka kohë për të pushuar.
“Nuk e keni idenë sesa shumë kam qarë kur mbërrita në Tiranë… Gjithsesi kemi tre jave që vetëm qajmë nga emocionet dhe tani mori fund! Kam marrë shumë dashuri nga shtete dhe njerëz që i ëndërroja! Tani… rikthehemi sërish tek ‘vajza e keqe’. Kam shumë projekte për të mbaruar dhe nuk kam më kohë për të pushuar. Ju dua të gjithëve”– shkroi Ronela krahas fotos së postuar.
Ndonëse “Eurovision” ka përfunduar, diskutimet rreth performancës së saj vijojnë. Mbrëmjen e djeshme në “Opinion” një panel të ftuarisht po diskutonin rreth përfaqësimit të saj në Festivalin Europian, duke shprehur mendimet e tyre pozitive dhe negative. Ky diskutim nuk i ka shpëtuar as Ronelës e cila pas programit ka bërë një status në Instagram.
Këngëtarja nuk ka etiketuar publikisht asnjë person por shkruan: “Paskeni qenë të vdekur për tu kapur me mua. Opinionistë të kalbur siç e keni mendjen dhe shpirtin… Turp!”
Pas skualifikimit në gjysmëfinale Ronela nuk ka dalë në asnjë intervistë por nuk i ka kursyer reagimet në rrjetet sociale. Ajo është shprehur se ndihet se e ka fituar “Eurovision” sepse fitoi dashurinë e publikut. “Edhe po të kaloja në finale do isha e fundit jam e sigurtë. Por dashuria që mora ishte e jashtëzakonshme. E fitova Eurovisionin sepse fitova turmën. Dhe turma(publiku) ka gjithmonë të drejtë”- shkruante ajo në reagimin e saj të parë. Performanca e Ronelës në gjysmëfinale është një nga më të klikuarat.
Rikujtojmë se këngëtarja publikoi një foto nga një studio muzikore në Instagram. Bashkë me të ishin dhe përfaqësuesit e Austrisë, LumiX dhe Australisë, Sheldon Riley. “Koha e studios”, shkroi Ronela krahas fotos. Më pas ajo postoi një tjetër foto ku shkruante: “Nuk mund të them akoma asgjë por gjëra të mira po vijnë.” Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një bashkëpunim mes tyre por duke marrë shkas nga këto postime që ka bërë së fundmi, nënkuptohet se ajo po vjen me një duet.