
Një studim i publikuar në qershor në Nature Human Behavior ka dalë në përfundimin se foshnjet janë në gjendje që të kuptojnë kur të rriturit bëjnë gabime dhe priren që t’i qortojnë ata.
Sipas hulumtimit të udhëhequr nga studiues të Universitetit Osaka dhe Universiteti i Grave Otsuma, në Japoni, sjellja ndëshkuese ndaj atyre që gabojnë mund të fillojë tek foshnjat deri në moshën 8 muajshe. Studiuesit thonë se kjo është dëshmi se morali mund të jetë i lindur.
Duke qenë se është e pamundur të dihet se çfarë po ndodh në kokën e një foshnje duke i pyetur ata, studimi përfshiu njohjen e 24 foshnjave 8 muajshe me një lojë video të thjeshtë, në të cilën lëvizin forma të antropomorfizuara - katrore, të cilat foshnjet mund t'i lëviznin me shikim, duke ndërvepruar me ekranin.
Vendi ku lëviznin sytë e foshnjave u regjistrua nga një pajisje për gjurmimin e shikimit dhe teksa foshnjat shikonin lëvizjet e formave, ata mësuan një veçori të rëndësishme të lojës: nëse e linin shikimin e tyre të qëndrojë në një figurë për një kohë mjaftueshëm, njëri prej katrorëve binte poshtë.
Pasi foshnjat mësuan këtë veçori të lojës video, studiuesit i bënë gjërat më komplekse. Tani, ndërsa foshnjat shikonin, një nga katrorët me sy do të sillej herë pas here keq, duke u përplasur me një tjetër dhe duke e përplasur atë në skajet e ekranit.
Pas disa incidenteve të tilla, foshnjat filluan të përgjigjen, me afërsisht 75 për qind e tyre që e drejtuan shikimin nga “katrori fajtor” dhe e mbajtën atje vështrimin deri kur katrori të zhdukej nga loja. Sipas shkencëtarëve japonezë kjo ishte dëshmi efektive se foshnjet po i jepnin një dënim për sjelljen e keqe të katrorit.