E çuditshme në Spanjë! Shkonte 40 minuta më herët në zyrë, pushohet nga puna

11 Dhjetor 2025, 21:39Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Një punonjëse logjistike në Spanjë ka humbur betejën ligjore kundër punëdhënësit, pasi vijoi të shkonte rreth 40 minuta para orarit të punës, pavarësisht paralajmërimeve të shumta që të respektonte fillimin e turnit.

E reja 22-vjeçare duhej të niste punën në orën 07:30, por zakonisht mbërrinte midis 06:45 dhe 07:00. Sipas Metro, ajo ishte paralajmëruar në mënyrë verbale dhe me shkrim gjatë gjithë vitit 2023, por nuk ndryshoi sjellje.

Edhe pas masave disiplinore formale, 22-vjeçarja vijoi të shkonte herët të paktën edhe 19 herë. Në disa raste, madje u përpoq të regjistrohej në aplikacionin e kompanisë para se të hynte fizikisht në zyrë.

Punëdhënësi vendosi ta largonte për shkelje të rëndë disiplinore, duke argumentuar se problemi ishte mosbindja e vazhdueshme ndaj rregullave dhe udhëzimeve të qarta. Kompania ngriti edhe një shqetësim tjetër për prishje besimi: punonjësja dyshohet se kishte shitur një bateri të përdorur të automjetit të kompanisë pa autorizim.

Gjykata Sociale e Alicante-s i dha të drejtë kompanisë. Sipas vendimit, çështja nuk lidhej me faktin që punonjësja shkonte herët, por sepse refuzonte në mënyrë të përsëritur të respektonte orarin dhe rregullat e vendosura, sjellje që konsiderohet shkelje e rëndë sipas nenit 54 të Statutit të Punëtorëve në Spanjë.

Punonjësja mund të apelojë në Gjykatën Supreme të Valencias.

Megjithatë, rasti ka shkaktuar trazira në mediat sociale, pasi shumë përdorues e kanë të vështirë të besojnë se dikush mund të pushohet nga puna sepse ka ardhur në punë… shumë herët.


Video