
Një 13-vjeçar në Florida u arrestua kohët e fundit pasi i drejtoi ChatGPT një pyetje të rrezikshme: “Si mund të vras shokun tim të klasës?”. Ngjarja ndodhi gjatë orës së mësimit dhe do të kishte kaluar pa u vënë re, po të mos ishte për një sistem të inteligjencës artificiale të quajtur “Gaggle”, që monitoron aktivitetin dixhital të nxënësve në më shumë se 1500 shkolla në SHBA.
Sapo algoritmi përgjoi fjalët kyçe, u ngrit një alarm automatik që njoftoi menjëherë stafin e sigurisë së shkollës dhe më pas policinë. Oficeri i sigurisë u përball me nxënësin, i cili u justifikua se gjithçka ishte thjesht një shaka me mikun e tij.
Pavarësisht kësaj, autoritetet nuk e morën lehtë. 13-vjeçari u arrestua në vend dhe pamjet e tij me pranga janë bërë virale në rrjetet sociale, duke ngjallur reagime të forta mes prindërve, mësuesve dhe përdoruesve online.
Ndërkohë, zyra e sherifit publikoi një deklaratë paralajmëruese: “Një tjetër rast kur një ‘shaka’ u kthye në emergjencë. Prindër, flisni me fëmijët tuaj për pasojat e fjalëve që thonë edhe online.”
Ngjarja ka hapur një debat të ndarë: a ishte ky një reagim i justifikuar për të parandaluar tragjeditë, apo një dënim i tepërt ndaj një adoleshenti që s’e kupton ende peshën e veprimeve të tij?