
Kryeministri Edi Rama ka bërë apel për të votuar kodin 05 të Alis Kallaçit, përfaqësuesit të Shqipërisë i cili perfmoi me këngën ‘Nan’.
Rama thekson se kënga ‘Nan’ e Alis “ka prekur zemrat e publikut kudo dhe që sjell në skenë emocionin, identitetin dhe shpirtin shqiptar”
“Ftojmë të gjithë ta mbështesin Shqipërinë dhe artistin tonë duke VOTUAR 05”, shkruan kryeministri.
Në mesazhin e tij, kryeministri Rama e shoqëron edhe me falënderimin e Alis Kallaçit.
I renditur i pesti në radhën e të konkurrimit, Alis u ngjit në skenë me këngën e tij “Nân”, një baladë prekëse që ka arritur të rrëmbejë duartrokitjet e gjata të publikut europian dhe të lërë gjurmë të thella emocionale.
Kënga, e cila trajton lidhjen e thellë dhe të pazëvendësueshme midis nënës dhe fëmijës, ka rezonuar fort me audiencën, duke prekur një temë universale që lidhet ngushtë me eksperiencën shqiptare të emigracionit, ndarjes dhe mallit për vendlindjen.
Një dimension i ri artistik me Rajmonda Bulkun
Surpriza e madhe e kësaj nate finale ishte prania në skenë e aktores së madhe të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Rajmonda Bulku. Shoqërimi i saj i dha performancës një dimension tjetër artistik, duke ndërthurur muzikën me artin dramatik.
“Nân”, një krijim me tekst dhe kompozim nga vetë Alis Kallaçi në bashkëpunim me Desara Gjini dhe me produksion të Erjet Barbullushit, u interpretua me vokale tejet të pastra, intensive dhe me një prezencë skenike të mprehtë. Elementet dramatike të përfshira në skenografi theksuan edhe më shumë ndjenjat e nostalgjisë, pritjes dhe forcës së pashtershme të lidhjeve familjare.
Vargjet që u kthyen në himn virale
Se sa e fuqishme është bërë kjo këngë për publikun, këtë e vërteton edhe reagimi i menjëhershëm në rrjetet sociale. Vargjet kryesore të baladës:
“Ta dish se nana po ju pret / E nana ju po ju përcjell…”
janë bërë menjëherë virale që prej mbrëmjes së gjysmëfinales së dytë të së enjtes. Ky impakt është pasqyruar edhe në shifra, duke e rreshtuar “Nân” si një ndër këngët më të klikuara dhe më të ndjekura në kanalin zyrtar të Eurovizionit në YouTube.
Mes kritikëve dhe fansave të shumtë të festivalit evropian, përfaqësimi i Alis Kallaçit po konsiderohet si një nga performancat më autentike dhe më emocionale të këtij edicioni jubilar. Shqipëria solli sonte në Vjenë një histori njerëzore të pastër, e cila kalon çdo kufi kulturor dhe që ka nevojë tani për mbështetjen maksimale të votave të diasporës (Kodi 05) për t’u vlerësuar ashtu siç meriton.