Zgjedhjet lokale/ Partia e Vuçiç shpall fitore gati në të gjitha qytetet, opozita akuzon për parregullsi

3 June 2024, 08:04Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zgjedhjet lokale/ Partia e Vuçiç shpall fitore gati në
Aleksandar Vuçiç

Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet në Serbi duket se është drejt fitores në zgjedhjet e përsëritura në Beograd, si dhe në zgjedhjet lokale të 2 qershorit në qytete të tjera. Zgjedhjet në Beograd u përsëritën sepse s’kishte fitues të qartë në ato të dhjetorit.

Por opozita është ankuar për parregullsi në zgjedhjet lokale të 2 qershorit në Serbi, duke bërë që mjedisi politik të vazhdojë të jetë i tensionuar në vend.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha mbrëmë se lista zgjedhore e mbledhur rreth Partisë Përparimtare serbe ka fituar 52 për qind të votave në Beograd, si dhe  ka fituar në 15 nga 17 komunat e Beogradit.

Në një konferencë për shtyp mbrëmë nga selia e SNS-së, Vuçiç tha se fitoret në Novi Sad dhe Nish ishin tepër bindëse.

Duke shpallur fitoren, Vuçiç tha se partia e tij do të ketë shumicën në kuvendin e Beogradit prej 110 vendesh.

Bazuar në 51 për qind të votave të numëruara në Beograd, organizata joqeveritare në Serbi, CeSid parashikoi se SNS-ja, e cila mbështetet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, është duke udhëhequr me 53 për qind, ndërsa partia e qendrës së djathtë, Lëvizja për Ndryshim e Savo Manojlloviqit, është e dyta me 17.2 për qind.

“Kjo është... një fitore e jashtëzakonshme”, tha Vuçiç në një konferencë për media, duke shtuar se partia e tij do ta ketë shumicën në Asamblenë e Qytetit të Beogradit, e cila ka 110 ulëse, si dhe në Novi Sad.

Megjithatë, Manojlloviç tha se koalicioni i tij nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve.

“Këto janë zgjedhjet më të parregullta ndonjëherë”, tha ai mbrëmjen e 2 qershorit

Dalja në zgjedhje ishte më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit 2023 në Beograd, pasi disa parti opozitare vendosën të mos marrin pjesë, duke pretenduar se nuk kishte kushte për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Koalicionet opozitare Serbia kundër Dhunës dhe Shpresa e akuzuan koalicionin e udhëhequr nga SNS-ja për vjedhje votash në zgjedhjet e 17 dhjetorit, ku u gjetën parregullsi të shumta nga misionet vëzhguese vendore dhe ndërkombëtare.

Autoritetet serbe vazhdimisht e kanë mohuar se ka pasur ndonjë parregullsi serioze në zgjedhje.

 


Video