
Dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë kërcënojnë se do të largohen dhe do të rrëzojnë koalicionin qeverisës nëse kryeministri Benjamin Netanyahu bie dakord me propozimin e armëpushimit në Gaza të prezantuar nga presidenti amerikan Joe Biden të premten, e 31 majit.
Ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir thanë se ishin kundër arritjes së ndonjë marrëveshjeje përpara se Hamasi të shkatërrohej.
Por lideri i opozitës Yair Lapid është zotuar të mbështesë qeverinë nëse Netanyahu e mbështet planin, shkruan BBC.
Vetë kryeministri këmbënguli se nuk do të kishte armëpushim të përhershëm derisa të shkatërroheshin aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe të liroheshin të gjithë pengjet.
Propozimi i planit në tre faza i zotit Biden do të fillonte me një armëpushim gjashtë-javor, në të cilin Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) do të tërhiqeshin nga zonat e populluara të Gazës. Marrëveshja përfundimisht do të çonte në lirimin e të gjithë pengjeve, një "ndërprerje të përhershme të armiqësive" dhe një plan të madh rindërtimi për Gazën.
Nuk do të ishte pjesë e një qeverie që pajtohet me planin e propozuar dhe i jep fund luftës pa shkatërruar Hamasin dhe pa i kthyer të gjithë pengjet" I ka thënë Smotrich Netanyahut, shkruan ai në rrjetet sociale
Edhe Ben-Gvir ka thënë se "marrëveshja do të thotë fundi i luftës dhe braktisja e qëllimit për të shkatërruar Hamasin. Kjo është një marrëveshje e pamatur, e cila përbën një fitore për terrorizmin dhe një kërcënim për sigurinë e shtetit të Izraeli".
Ai u zotua të "shpërndajë qeverinë" në vend që të pajtohet me propozimin.
Ndërkohë avionët izraelitë kanë goditur pozicionet e Hezbollahut në zonat në perëndim të qytetit antik të Baalbeck në Libanin lindor.
Faza e parë e marrëveshjes së propozuar nga zoti Biden do të zgjaste 6 javë dhe do të përfshinte “armëpushim të plotë”, tërheqjen e forcave izraelite nga të gjjtha zonat e populluara të Gazës, lirimin e një numri të personave që po mbahen peng, përfshirë, gra, të moshuar dhe të plagosur, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur.
Faza e dytë do të përfshijë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetur gjallë, përfshirë ushtarët dhe forcat izraelite do të tërhiqen nga Gaza.
Faza e tretë parashikon fillimin e rindërtimit të Gazës, për çka do të nevojiten dekada të tëra, pas shkatërrimeve të shkaktuara nga lufta.