Zgjedhjet lokale në Angli/ Farage triumfues, disfatë historike për Starmerin: Nuk jap dorëheqjen!

8 May 2026, 17:08Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zgjedhjet lokale në Angli/ Farage triumfues, disfatë historike
Farage triumfues

Një disfatë e rëndë për Partinë Laburiste të Keir Starmer dhe një sukses i jashtëzakonshëm për Nigel Farage dhe partinë e tij të djathtë Reform UK.

Zgjedhjet lokale në Angli, si edhe ato kombëtare në Uells dhe Skoci, po rezultojnë shumë më negative nga sa pritej për kryeministrin britanik. Të paktën sipas rezultateve të para që po publikohen.

“Ky rezultat dhemb”, deklaroi Starmer, duke lavdëruar angazhimin e militantëve laburistë dhe duke marrë mbi vete “përgjegjësinë” për humbjen, pa “kërkuar fajtorë”.

Megjithatë, ai siguroi se nuk do të japë dorëheqjen dhe se synon të mbetet në krye të partisë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas tij, kjo humbje “nuk e dobëson vendosmërinë për të realizuar ndryshimin e premtuar” nga qeveria.

Partia Laburiste po humbet tashmë qindra vende në Angli dhe mund të humbasë deri në 1 mijë e 800 vende nga 5 mijë që ishin në garë, në zonat ku ishte në pushtet. Një katastrofë me përmasa historike, që mund të shënojë rezultatin më të keq të Partisë Laburiste në zgjedhjet lokale.

Partia e Starmer-it ka humbur terren kudo, madje edhe në bastione tradicionale si Wigan apo Wandsworth në Londër.

Laburistët pësuan humbje të rëndë edhe në Hartlepool, një qytet punëtor dhe portual në verilindje të Anglisë, duke humbur në çdo distrikt të zonës. Humbja ka një domethënie të veçantë për Starmer-in: në vitin 2021, kur konservatorët e Boris Johnson ia morën Hartlepool-in laburistit Starmer (atëherë lider i opozitës) kishte menduar dorëheqjen, por bashkëshortja e tij Victoria e bindi të mos largohej. Vendim që rezultoi i drejtë, pasi më pas Johnson u përfshi nga skandali “Partygate” dhe në vitin 2024 Starmer fitoi zgjedhjet parlamentare.

Tani, megjithatë, Starmer po përballet sërish me krizë të thellë. Deputetë të partisë, si Jonathan Brash nga Hartlepool, kanë nisur të kërkojnë largimin e tij. Edhe pse ministrat e tij ende e mbështesin, presioni ndaj kryeministrit është shumë i madh.

Rrallëherë vitet e fundit është parë një kryeministër kaq i papëlqyer si nga votuesit e djathtë, ashtu edhe nga ata të majtë. John McDonnell, figurë historike e së majtës laburiste, paralajmëroi madje për “rrezik zhdukjeje” të partisë.

“Partia Laburiste po përjeton makthin më të keq të historisë së saj. Nuk është më vetëm çështje qeverisjeje, por mbijetese si parti. Anëtarësia jonë është përgjysmuar”, deklaroi ai për radion LBC.

Ndërkohë, Nigel Farage po shijon një triumf spektakolar. Partia e tij Reform UK po fiton qindra vende dhe mund të arrijë deri në 1 mijë e 500 mandate lokale, sidomos në zonat tradicionale punëtore dhe të bardha që dikur ishin bastione të Laburistëve. Fushata e Nigel Farage është fokusuar fort tek sulmet ndaj emigracionit dhe të huajve.

Në zonat urbane, goditje të tjera për laburistët po japin edhe të Gjelbrit, duke e dobësuar më tej pozicionin e Starmer-it, i cili pas dy vitesh qeverisjeje të paqartë dhe pa identitet të fortë, duket se po lufton tani për mbijetesën politike brenda vetë partisë së tij.


Video