Video/ Avioni më i madh transportues në botë zbarkon në Kosovë, zbulohen detaje nga mbërritja misterioze në aeroportin “Adem Jashari”!

8 Maj 2026, 11:06Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Antonov An-124 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”

Mbërritja e një avioni të tipit Antonov An-124 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më 6 maj, nxiti kureshtjen e shumëkujt në Kosovë.

Por, arsyeja e fluturimit drejt Kosovës të njërit prej aeroplanëve më të mëdhenj në botë për transportin e mallrave, përfshirë ato ushtarake, mbetet ende e panjohur.

Radio Evropa e Lirë (REL) ka kërkuar të enjten informacione nga Aeroporti i Prishtinës në lidhje me ardhjen e fluturakes së madhe të prodhimit ukrainas, por nuk ka marrë përgjigje.

Fluturimi i aeroplanit me regjistrimin UR-82008 nuk ka figuruar as në regjistrat e fluturimeve komerciale online.

Ministria e Mbrojtjes në Kosovë ka thënë se nuk ka informacione zyrtare lidhur me këtë fluturim.

Fotografi i njohur kosovar, Arian Mavriqi, e ka fotografuar dhe e ka xhiruar uljen e djeshme të aeroplanit gjigant, i cili në Kosovë është parë edhe në të kaluarën.

Video/ Avioni më i madh transportues në botë zbarkon në
Arian Mavriqi

Edhe entuziastë të aviacionit, vendës e të huaj, po ashtu kanë publikuar fotografi e video të uljes së Antonov An-124 në aeroportin që ndodhet 17 kilometra larg kryeqytetit kosovar, duke aluduar se aeroplani është nisur nga një bazë ajrore në Gjermani.

Video e marrë nga faqja e fotografit të njohur kosovar, Arian Mavriqi:


Sipas tyre, ai mund të ketë sjellë pajisje ushtarake për misionin paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.

Por, nga ky mision i NATO-s nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it në lidhje me këtë çështje.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë i tha REL-it se, “si çështje parimore dhe pavarësisht nga pyetja specifike, nuk komenton transportet ushtarake”, si dhe që përgjigja e saj nuk përbën as konfirmim e as mohim në lidhje me këtë fluturim.

Ajo, megjithatë, tha se forcat e armatosura gjermane përdorin shërbimin e transportit të kompanisë Antonov.

“…Kapacitetet e Antonov Logistics SALIS GmbH [përdoren] për dërgimin dhe furnizimin e forcave gjermane në kontekstin e mbrojtjes kombëtare dhe mbrojtjes së aleancës, menaxhimit të krizave ndërkombëtare dhe menaxhimit të rreziqeve dhe krizave kombëtare”, i tha REL-it një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes.

Për çfarë përdoren aeroplanët Antonov?

Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara nga vetë kompania ajrore, Antonov Airlines është një degë e Antonov Company, me seli në Kiev, Ukrainë.

Ndërmarrja shtetërore ukrainase operon një flotë të gjerë avionësh që transportojnë mallra, duke përfshirë pesë avionë të tipit An-124 Ruslan, që mund të bartin ngarkesa deri në 150 tonë.

Dy prej këtyre aeroplanëve përdoren zyrtarisht përmes kompanisë Antonov Logistic SALIS GmbH, për të ofruar shërbime transportuese për NATO-n dhe vendet e Bashkimit Evropian për dërgimin e “mallrave emergjente në situata të krizës”.

Sipas informacioneve në ueb-sajtin e kompanisë, shërbimet përgjegjëse për planifikimin e transportit dhe mirëmbajtjes së avionëve janë zhvendosur përkohësisht në Lajpcig të Gjermanisë, për shkak të luftës në Ukrainë.

Fluturimet e mëparshme në Kosovë

Aeroplani i kompanisë Antonov nuk erdhi për herë të parë në Kosovë të mërkurën.

Vetë Aeroporti i Prishtinës kishte publikuar fotografi të këtij aeroplani, kur ai kishte mbërritur në Kosovë më 2016.

Ndërkaq, grupi BBKRspotters, i cili publikon pamje të fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, kishte publikuar një video të uljes së këtij aeroplani në “Adem Jashari” në janarin e vitit 2024.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione nga vetë kompania e fluturimeve Antonov për fluturimin e djeshëm, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka marrë përgjigje./REL


Video