Vuçiç flet pas takimit “kokë më kokë” me Kurtin: Absolutisht asnjë marrëveshje me Prishtinën

21 Nëntor 2022, 16:07Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Takimi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se në bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e targave, "nuk është arritur absolutisht asnjë marrëveshje".

Megjithatë, shtoi ai, pala serbe do t'i respektojë "këshillat dhe kërkesat" e kryediplomatit evropian, Josep Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.

"Ai ka kërkuar që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, e që ne mos të lëshojmë targa të reja KM - për ç'gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër", tha Vuçiç.

"Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë", tha ai dhe shtoi se Serbia "do t'i qëndrojë pranë popullit serb" në Kosovë.

Derisa Vuçiç u pa duke dalë nga takimi, mësohet se Kurti po vazhdon bisedimet me zyrtarët evropianë.

Me ndërmjetësimin e kryediplomatit të BE-së, Borrell, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan të hënën për të diskutuar rreth targave të automjeteve në Kosovë - çështje kjo që ka rritur tensionet mes dy vendeve.

Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Serbia, e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Duke folur për gazetarët në Bruksel, Vuçiç tha se "pala serbe ka qenë konstruktive" në bisedime.

Borrell, fillimisht, mbajti takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç.

Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë "takim urgjent", për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.

"... t'i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve", shkroi ai në Twitter.

Takimi i sotëm në Bruksel është thirrur një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë të planit të Qeverisë, përkatësisht shqiptimit të gjobave prej 150 eurosh për shoferët me targa ilegale. Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa./REL

Video