“Vance na urren, Rubio figurë solide” - Si e sheh Europa Shtëpinë e Bardhë

18 Janar 2026, 21:54Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rubio dhe Vance

Europa po përballet me një rritje të ndjeshme shqetësimi për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, teksa dallimet mes figurave kyçe të administratës amerikane po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Sipas një raportimi të Politico-s, diplomatët evropianë e shohin Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si një figurë “solide” dhe relativisht të besueshme, ndërsa zëvendës presidenti JD Vance perceptohet gjerësisht si një faktor destabilizues dhe armiqësor ndaj Europës.

Raportimi citon mbi dhjetë diplomatë dhe zyrtarë europianë, të cilët shprehen në mënyrë anonime, duke theksuar se JD Vance nuk konsiderohet aleat i Europës, as në çështjen e Groenlandës dhe as në marrëdhëniet transatlantike në tërësi.

“Vance na urren”, shprehet një diplomat europian për Politico-n, duke shtuar se përfshirja e tij direkte në bisedimet në Washington ishte një sinjal negativ për çdo kompromis të mundshëm.

Sipas të njëjtit burim, Vance ka fituar një reputacion të fortë negativ në kontinent, sidomos pas përplasjes së tij publike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale vitin e kaluar, si dhe kritikave të ashpra ndaj Europës për refuzimin e bashkëpunimit me forcat e ekstremit të djathtë dhe për varësinë nga SHBA-të në çështjet e sigurisë.

Këto qëndrime, sipas diplomatëve, e bëjnë Vance një figurë ideologjike dhe të paparashikueshme.

Në kontrast të plotë, Marco Rubio përshkruhet nga zyrtarët europianë si “më i përafruar me prioritetet e Europës”, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbështetjes për Ukrainën.

Shqetësimet europiane janë shtuar veçanërisht në lidhje me Groenlandën, pasi presidenti Donald Trump ka deklaruar hapur se dëshiron “pronësinë” e ishullit për arsye të sigurisë kombëtare. Sipas diplomatëve të cituar nga Politico, përfshirja e JD Vance në këto bisedime rrit frikën se Washingtoni mund të mos kërkojë kompromis, por imponim.

Edhe pse bisedimet e fundit në Washington nuk përfunduan me përshkallëzim të drejtpërdrejtë, diplomatët evropianë mbeten skeptikë.


Video