Patriarku i Jeruzalemit dhe kishat paralajmërojnë: Sionizmi kristian po kërcënon krishterimin

18 January 2026, 16:09Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Patriarku i Jeruzalemit dhe kishat paralajmërojnë: Sionizmi kristian
Patriarku ortodoks i Jerusalemit, Theophilos III

Krerët e kishave kristiane në Jeruzalem kanë lëshuar një paralajmërim të fortë kundër asaj që e quajnë ndërhyrje e jashtme që kërcënon unitetin dhe të ardhmen e krishterimit në Tokën e Shenjtë.

Në një deklaratë të përbashkët, Patriarkët dhe krerët e kishave shprehën shqetësimin për përhapjen e ideologjive dëmtuese si “Sionizmi Kristian”, duke akuzuar aktorë politikë në Izrael dhe jashtë tij se po nxisin axhenda që dëmtojnë besimtarët vendas.

Sipas tyre, këto lëvizje po përdoren për të mbështetur zgjerimin e kolonive izraelite dhe konfiskimin e tokave, duke dobësuar kështu praninë historike të krishterë në Lindjen e Mesme.

Udhëheqësit fetarë theksuan se individë që promovojnë këto ideologji po mirëpriten në nivele zyrtare, gjë që ata e konsiderojnë si një ndërhyrje të papranueshme në punët e brendshme të kishave.

Ata veçuan faktin se një rrymë e fuqishme e krishterimit evangjelist në Shtetet e Bashkuara po siguron mbështetje financiare dhe politike për politikat e pushtimit, duke margjinalizuar të krishterët palestinezë që jetojnë prej shekujsh në ato troje.

Ky presion po vjen në një kohë kur komuniteti përballet edhe me taksa të larta dhe sulme të shpeshta të kolonëve ndaj pronave dhe vendeve të shenjta në Bregun e Perëndimor dhe Gaza.

Situata është rënduar edhe më shumë nga kufizimet e fundit izraelite në fushën e arsimit. Komiteti i Lartë Presidencial për Çështjet e Kishave në Palestinë dënoi vendimin e autoriteteve izraelite për të bllokuar lejet e punës për mësuesit që vijnë nga Bregu i Perëndimor drejt Jeruzalemit Lindor.

Ky bllokim ka prekur të paktën 171 mësues dhe punonjës, duke paralizuar procesin mësimor në shumë shkolla kristiane.

Zyrtarët e kishës i cilësuan këto masa si një formë të ndëshkimit kolektiv dhe diskriminimit racor, që synon të detyrojë popullsinë vendase kristiane të largohet nga Jeruzalemi përmes dobësimit të institucioneve të tyre arsimore dhe shoqërore.


Video