Për herë të parë në 37 vite pushtet teokratik, Ali Khamenei ka pranuar publikisht përmasat e represionit në Iran. E bëri këtë në një fjalim drejtuar kombit, pas ditësh protestash, kaosi dhe dhune që kanë lënë pas më shumë se 3 mijë viktima, mes tyre të paktën 150 efektivë sigurie. Shumë trupa ende nuk janë identifikuar dhe familjet po hasin vështirësi edhe për t’i rimarrë. Vendi mbetet në errësirë informative.
Në fjalimin e tij, Khamenei fajësoi drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara.
“E konsiderojmë presidentin amerikan përgjegjës për viktimat, dëmet dhe shpifjen e shkaktuar ndaj kombit iranian. Ata që janë të lidhur me Izraelin dhe Amerikën janë përgjegjës për vdekjen e mijëra njerëzve”, tha ai.
Ai paralajmëroi se “kriminelët e brendshëm dhe ndërkombëtarë nuk do të mbeten pa u ndëshkuar” dhe se kombi iranian duhet “t’ua thyejë shpinën sedicionistëve”.
Deklarata shihet si urdhër i hapur për mungesë mëshire, me pasoja të rënda për mijëra të arrestuar gjatë dhe pas protestave, mbi 10 mijë persona, sipas organizatës Iran Human Right.
Fjalët e Khameneit sollën reagimin e Donald Trump.
“Është koha të kërkohet një udhëheqje e re për Iranin”, tha presidenti amerikan, pasi bashkëpunëtorët i treguan postimet e liderit suprem, një nga të paktët që ende ka akses në internet, i bllokuar prej një jave për shumicën e 90 milionë iranianëve.
“Udhëheqja ka të bëjë me respekt, jo me frikë dhe vdekje. Ky njeri është i sëmurë, duhet ta qeverisë vendin e tij siç duhet dhe të ndalojë vrasjet. Irani është vendi më i keq për të jetuar për shkak të udhëheqjes së dobët”, deklaroi Trump.
Në dosjen iraniane, Trump ka mbajtur një qëndrim të paqëndrueshëm. Fillimisht premtoi mbështetje për protestuesit dhe i nxiti publikisht, për të bërë më vonë hapa pas. Së bashku me thirrjet e Reza Pahlavit, djalit të ish-shahut, kjo i dha autoriteteve iraniane justifikimin për një represion brutal, duke i etiketuar protestat si pjesë e një komploti destabilizues.
Edhe pse nuk përjashtohet infiltrimi i elementëve të dhunshëm, Financial Times citon dëshmi direkte nga protestat dhe ia atribuon forcave iraniane të sigurisë shkallën e masakrës.
Dy ditë më parë, Trump falenderoi Teheranin për “anulimin e 800 ekzekutimeve”, pa qenë e qartë se për çfarë fliste apo nga kush e kishte marrë informacionin. Në realitet, në Iran po shtohen thirrjet e ultrakonservatorëve për dënime me vdekje ndaj ‘rebelëve’.
Prokurori i Teheranit, Ali Salehi, e përgënjeshtroi Trumpin, duke theksuar se “përgjigjja jonë është e vendosur, parandaluese dhe e shpejtë” dhe se shumë çështje tashmë janë dërguar në gjykatë.
Në qytetet iraniane, jeta po rifillon nën një klimë të pazakontë: Interneti mbetet i bllokuar, shkollat hapen sërish me prani fizike, ndërsa universitetet do të vazhdojnë online. Pyetja kryesore mbetet: Çfarë do të bëjë realisht Amerika?
Trump përmend ndryshim politik në Republikën Islamike, por ka treguar se nuk dëshiron kolaps të shtetit iranian. Përmes kanaleve formale dhe informale, Uashingtoni po përpiqet të kuptojë nëse Irani është gati për një epokë pas Khameneit dhe si mund të duket fillimi i një sezoni të ri politik.