Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar uljen e flamujve në gjysmë shtize në të gjithë vendin si një “shenjë respekti për kujtimin” e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë mëngjesin e së hënës në Vatikan.
Në një njoftim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë, Trump njoftoi se urdhri zbatohet për të gjitha ndërtesat publike, postet ushtarake dhe stacionet detare, si dhe për të gjitha anijet nën flamurin amerikan, brenda dhe jashtë vendit, përfshirë ambasadat dhe objektet ushtarake në territorin ndërkombëtar.
“Ky është një nder për një njeri që jetoi me përulësi, predikoi paqen dhe u dha zë të heshturve në çdo cep të botës,” thuhet në njoftim.
Flamuri amerikan në kulmin e Shtëpisë së Bardhë ishte ulur në gjysmë shtize të hënën në mëngjes, ndërsa në oborrin jugor po zhvillohej aktiviteti tradicional i Pashkëve, “Easter Egg Roll”.
Më tej, Presidenti Trump konfirmoi se do të marrë pjesë personalisht në funeralin e Papës në Romë.
“Melania dhe unë do të shkojmë në funeralin e Papa Françeskut. Mezi presim të jemi atje!”- shkroi ai në platformën e tij, Truth Social.