Trump tërheq ftesën e Kanadasë për në Bordin e Paqes

23 Janar 2026, 09:44Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Donald Trump dhe Mark Carney

Donald Trump tërhoqi të enjten ftesën për Kanadanë që t’i bashkohej Bordit të Paqes, i cili synon zgjidhjen e konflikteve globale.

“Ju lutem, le të shërbejë kjo letër për të përfaqësuar faktin se Bordi i Paqes po tërheq ftesën e tij drejtuar jush lidhur me anëtarësimin e Kanadasë në atë që do të jetë Bordi i Liderëve më prestigjioz i mbledhur ndonjëherë, në çdo kohë,” shkroi Trump në një postim në Truth Social drejtuar kryeministrit kanadez, Mark Carney.

Trump e prezantoi nismën e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke pretenduar se do të ishte “një nga organet më prestigjioze të krijuara ndonjëherë në historinë e botës”. Bordi, i cili do të kryesohet nga Trump, u përshkrua fillimisht si një organ i përkohshëm për të mbikëqyrur qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.

Sipas Trumpit, anëtarët e përhershëm duhet të ndihmojnë në financimin e bordit me një pagesë prej 1 miliard dollarësh secili.

Ndërsa liderët e shumë demokracive liberale refuzuan t’i bashkoheshin organizatës së re ndërkombëtare të Trumpit, Carney kishte pranuar në parim, megjithëse të dielën tha se zyrtarët e tij ende nuk kishin shqyrtuar “të gjitha detajet e strukturës, mënyrën se si do të funksionojë, si do të financohet, e kështu me radhë”.

“Kanadaja dëshiron që paratë të kenë ndikim maksimal,” u tha Carney gazetarëve.

Ministri kanadez i Financave, François-Philippe Champagne, tha të martën se kanadezët nuk planifikonin të paguanin 1 miliard dollarët që vendeve u ishte kërkuar t’ia jepnin Trumpit për një vend të përhershëm në bord, i cili fillimisht ishte përshkruar si një organ i përkohshëm për të mbikëqyrur qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.

Në një fjalim të drejtpërdrejtë drejtuar liderëve botërorë në Davos të martën, Carney përshkroi atë që e quajti “një përçarje” në rendin e mëparshëm botëror “të bazuar në rregulla”, të mbikëqyrur nga Shtetet e Bashkuara, e shkaktuar nga sjellja agresive e Trumpit.

Kur mbërriti në Davos, Trump e bëri të qartë se ishte në dijeni për fjalimin viral të Carneyt. “Kanadaja jeton falë Shteteve të Bashkuara,” tha Trump në fjalimin e tij të mërkurën. “Mbaje mend këtë, Mark, herën tjetër që bën deklaratat e tua.”

“Kanadaja nuk jeton falë Shteteve të Bashkuara,” u kundërpërgjigj Carney të enjten. “Kanadaja lulëzon sepse ne jemi kanadezë.”

“Pasi ky bord të jetë formuar plotësisht, ne mund të bëjmë pothuajse çfarë të duam,” tha Trump në Zvicër të enjten. “Dhe do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara.”

Krijimi i bordit u miratua nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si pjesë e planit të paqes së Trumpit për Gazën, dhe zëdhënësi i OKB-së, Rolando Gomez, tha të enjten se angazhimi i OKB-së me bordin do të ishte vetëm në këtë kontekst.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Katari, Bahrejni, Pakistani, Turqia, Hungaria, Maroku, Kosova, Armenia, Argjentina dhe Paraguai e kanë pranuar ftesën e Trump. Po ashtu edhe shtetet e Azisë Qendrore Kazakistani, Mongolia dhe Uzbekistani, si dhe vendet e Azisë Juglindore Indonezia dhe Vietnami.

Edhe Benjamin Netanyahu i Izraelit është pjesë, ndonëse është zemëruar për përfshirjen e zyrtarëve turq dhe katarianë në bordin ekzekutiv për Gazën dhe përballet me një urdhër-arrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Shqipëria ka konfirmuar gjithashtu se e ka pranuar ftesën, edhe pse të enjten kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm në Davos për të firmosur gjatë ceremonisë. Ai ndodhej në Vlorë duke mirëpritur vajzën e presidentit amerikan, Ivanka Trump.

Gjatë ratifikimit në Kuvend, PS e PD bashkuan kartonët për aderimin e Shqipërisë në bordin për Rindërtimin e Gazës.

Aleatë të tjerë të SHBA-së, si Britania, Franca dhe Italia, kanë sinjalizuar se për momentin nuk do t’i bashkohen.


Video