Trump përgatit spastrimin e radhës, në shënjestër Hegseth dhe shefi i CIA-s: Kundërshtuan marrëveshjen me Iranin

16 Qershor 2026, 23:41Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hegseth dhe Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e shkarkimit të disa prej zyrtarëve më të lartë të administratës së tij, të cilët kanë kundërshtuar marrëveshjen e fundit me Iranin, raporton media izraelite Israel Hayom.

Sipas raportimit, në mesin e zyrtarëve që mund të përballen me pasoja politike janë Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, të cilët thuhet se kanë shprehur rezerva ndaj marrëveshjes së arritur nga administrata Trump me Teheranin.

Një zyrtar i lartë amerikan, i cituar nga media izraelite, ka deklaruar se “debati është mbyllur” dhe se ata që kundërshtuan marrëveshjen “mund të paguajnë një çmim personal”.

Raportimet vijnë në një kohë kur brenda administratës amerikane janë shfaqur ndarje lidhur me memorandum-in e mirëkuptimit të arritur me Iranin. Sipas burimeve të cituara nga Axios, drejtori i CIA-s Ratcliffe, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Hegseth kishin ngritur shqetësime për gatishmërinë e Iranit për të respektuar detyrimet e marrëveshjes.

Nga ana tjetër, në mbështetje të marrëveshjes janë rreshtuar Zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët argumentojnë se një zgjidhje diplomatike është alternativa më e mirë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.

Deri më tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar zyrtarisht se Trump ka marrë një vendim për shkarkimin e ndonjë zyrtari të kabinetit të tij. Megjithatë, raportimet pasqyrojnë tensionet e brendshme që kanë shoqëruar negociatat me Iranin dhe marrëveshjen e shpallur ditët e fundit nga presidenti amerikan.


Video