
Patriarkana e Aleksandrisë dhe e Gjithë Afrikës ka vendosur pezullimin e përkohshëm nga detyra të mitropolitit Panteleimon të Ptolemaidës, me vendim të Patriarkut Theodhor II, pas një incidenti të ndodhur në Athinë.
Në një njoftim zyrtar të Sekretariatit të Patriarkatit, ngjarja përshkruhet si “e trishtueshme”, pa dhënë detaje të plota mbi rrethanat, ndërsa theksohet se çështja po trajtohet me seriozitet të lartë nga autoritetet kishtare.
Sipas autoriteteve greke, mitropoliti Panteleimon është ndaluar nga policia në Athinë dhe po përballet me akuza për sjellje të papërshtatshme në publik. Incidenti dyshohet të ketë ndodhur në zonën e Petralonës, ku ai është shoqëruar më pas në komisariat për t’u marrë në pyetje dhe për procedurat përkatëse ligjore.
Pezullimi i pacaktuar nga detyra konsiderohet një nga masat më të rënda administrative brenda hierarkisë kishtare. Kjo masë nuk përbën vendim fajësie dhe nuk paragjykon ecurinë e hetimeve, por synon ruajtjen e funksionimit normal të Kishës dhe mbrojtjen e integritetit institucional deri në përfundimin e procesit.
Patriarkana e Aleksandrisë dhe e Gjithë Afrikës ka bërë të ditur se do të ndjekë zhvillimet e çështjes në përputhje me procedurat kanonike dhe vendimet e autoriteteve kompetente.