Roman Abramovich po përpiqet të shpëtojë reputacionin e tij, pas sanksioneve të ashpra të vendosura ndaj tij nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, pasi ka marrë rolin e “paqe bërësit” në bisedimet e armëpushimit Moskë-Kiev. Megjithatë, një nga përpjekjet e tij të fundit tregon se distanca që duhet të mbulohet për një armëpushim përfundimtar në tokën ukrainase mund të jetë ende e madhe.
Pronari i Chelsea-t, i cili mësohet se së fundmi ka udhëtuar mes Stambollit, Moskës dhe Kievit, përcjell mesazhe mes Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, me qëllimin e madh për të “mbyllur” takimin mes tyre. Megjithatë, kur u takua me presidentin rus javën e kaluar dhe i dha atij një shënim nga homologu i tij ukrainas mbi kushtet e paqes, Putin reagoi me zemërim.
Konkretisht, Abramovich “fluturoi” nga aeroporti Ataturk në Stamboll me një avion privat të mërkurën e kaluar, duke kaluar Detin e Zi për në Soçi. Oligarku rus kishte udhëtuar për t’u takuar me Putinin pranë Moskës dhe i kishte dorëzuar atij një shënim të shkruar me dorë nga Zelensky, duke përshkruar pozicionin e Ukrainës për kushtet e paqes. Sipas “Times”, presidenti rus nuk i ka lënë shumë vend përgjigjes së tij, kur ka lexuar shënimin: “Thuaji se do t’i shpërndaj”.
Abramovich më pas u kthye në Stamboll dhe u takua me politikanin ukrainas Rustem Umerov, i cili thuhet se po vepron si negociator në Kiev. Bisedimet që nga ajo pikë e tutje kanë përparuar “mirë” dhe është bërë përparim, sipas zëdhënësit të Erdoganit, Ibrahim Kalin.
Kalin i tha Hurriyet fundjavën e kaluar se të dy palët ishin “afër një marrëveshjeje” për çështjet kyçe që lidhen me NATO-n, çmilitarizimin dhe mbrojtjen e gjuhës ruse. Megjithatë, ka ende dallime për të ardhmen e Krimesë dhe Donbass.
Putini besohet se po i konsideron seriozisht faktet e mësipërme, por zemërimi i tij për dështimet e ushtrisë ruse dhe urrejtja e tij për Zelensky-n e “frenojnë atë”.