"Të vrava familjen", si ndodhi masakra me 10 viktima në Malin e Zi, telefonata e autorit pas ekzekutimeve të para

13 August 2022, 08:14Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Të vrava familjen", si ndodhi masakra me 10 viktima në
Vendi i ngjarjes dhe autori Vuko Boriloviç

10 viktima dhe 6 të plagosur ishte bilanci i masakrës së regjistruar pasditen e të premtes në Cetinje të Malit të Zi. Dyshohet se shkaku i konfliktit ka qenë qiraja e një banese.

Autori 34-vjeçar, Vuko Boriloviç hyri në banesën e qiramarrësve të tij rreth orës 15:30 dhe vrau një fëmijë 11 vjeç. Pas tij vrau edhe vëllain tre vjet më të vogël dhe plagosi nënën e tyre, të identifikuar si Natasha Pajoviç.

Pas ngjarjes, Boriloviç telefonoi bashkëshortin e Natashës, Millosh Martinoviç për t’i rrëfyer krimin duke i thënë: “Unë kam vrarë familjen tënde dhe timen”.

Por, nuk përfundoi me kaq. Pasi përfundoi telefonatën me Martinoviç, me armë gjahu në dorë, hyri në shtëpinë e fqinjëve të tjerë duke vrarë të moshuarit Danijela dhe Dimitrije Dreçun dhe plagosi rëndë nipin e tyre Aleksandar Dreçun. Më pas vrau dhe djalin e tyre Rajko Dreçun, i cili vrapoi menjëherë drejt shtëpisë kur dëgjoi të shtënat.

34-vjeçari vrau edhe fqinjin Milan Mitroviç dhe dajën e tij Goran Gjurishiç dhe më pas, duke zbritur në rrugë, nuk ndali të shtënat dhe qëlloi për vdekje fqinjët Aleksandra dhe Danijela Radunoviç.

Përveç nënës që ishte qiramarrëse në shtëpinë e tij, plagosi edhe katër persona të tjerë dhe policin Ljubisha Maksimoviq , i cili po përpiqej ta nënshtronte.

Ndonëse ishte i rrethuar nga policia, autori nuk pranonte të dorëzohej. Sipas mediave malazeze, ndërhyri një prej fqinjëve dhe e qëlloi për vdekje.

Trupi i 34-vjeçarit është dërguar për autopsi ndërsa nuk dihet ende përse kreu masakrën pasditen e së premtes.

Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tri ditë zie pas kësaj tragjedie.

Në përputhje me Vendimin e Qeverisë, ditët e zisë janë e shtune, e diela dhe e hëna, përkatësisht datat 13, 14 dhe 15 gusht 2022.

Me rastin e zisë treditore, Qeveria njoftoi se flamujt do të vendosen në gjysmështizë në të gjitha objektet e organeve shtetërore dhe objektet e organeve të vetëqeverisjes lokale dhe publike. Në përputhje me vendimin, në ditën e zisë nuk do të mbahen programe kulturore dhe argëtuese në vende publike dhe nuk do të transmetohet muzika në objektet hotelierike. Mediat elektronike dhe mediat e tjera janë të detyruara që përmbajtjen e tyre programore t’i përshtatin përkujtimit të ditës së zisë.

“Me rastin e një ngjarje tragjike të paregjistruar, e cila ka rezultuar me humbjen e jetës së qytetarëve malazezë, Qeveria ka marrë vendim për shpalljen e tri ditëve zie në territorin e gjithë shtetit të Malit të Zi”, thuhet në vendim.


Video