Suedia i është bashkuar zyrtarisht NATO-s në Uashington këtë të enjtje, dy vjet pasi pushtimi rus i Ukrainës e e shtyu të rimendonte politikën e saj të sigurisë kombëtare dhe të arrinte në përfundimin se mbështetja për aleancën ishte garancia më e mirë e sigurisë për kombin skandinav.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson i dorëzoi dokumentacionin përfundimtar qeverisë së SHBA-së të enjten, hapi i fundit në një proces të zgjatur për të siguruar mbështetjen e të gjithë anëtarëve për t'u bashkuar me aleancën ushtarake.
“Gjërat e mira vijnë për ata që presin”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken teksa mori dokumentet e pranimit të Suedisë nga Kristersson.
“Ky është një moment historik për Suedinë, për aleancën tonë dhe për marrëdhëniet transatlantike”, tha Blinken.
Për NATO-n, anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës, që ndan një kufi 1340 km me Rusinë, janë anëtarësimet më të rëndësishme të dekadave së fundit. Është gjithashtu një goditje për presidentin rus Vladimir Putin, i cili ka kërkuar parandalimin e çdo forcimi dhe zgjerimi të mëtejshëm të aleancës.
“Është zyrtare, Suedia është tani anëtarja e 32-të e NATO-s, duke zënë vendin e saj të merituar në tryezën tonë. Pranimi i Suedisë e bën NATO-n më të fortë, Suedinë më të sigurt dhe të gjithë Aleancën më të sigurt. Mezi pres të ngrejë flamurin e tyre në selinë e NATO-s të hënën”, komentoi shefi i NATO, Jens Stoltenberg.