Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë testuar një raketë ndërkontinentale, të pa-armatosur, por të aftë për të mbajtur ngarkesë bërthamore.
Raketa balistike ndërkontinentale “Minuteman III” është lëshuar nga baza ajrore “Vandenberg” më Kaloforni dhe ka fluturuar për 6,759 kilometra pranë Ishujve Marshall.
“Këto lëshime testimi verifikojnë saktësinë dhe besueshmërinë e sistemit të armëve ICBM, duke ofruar të dhëna të vlefshme për të siguruar një parandalim bërthamor të sigurt dhe efektiv”, thuhet në deklaratë.
Më tej deklarata thotë se këto teste janë të shpeshta, me 300 të kryera deri tani, dhe se nuk kanë lidhje me zhvillimet aktuale botërore.
Sipas Pentagonit, Shtetet e Bashkuara e kanë njoftuar paraprakisht Rusinë për kryerjen e këtij testi.
“Në përputhje me procedurat standarde, Shtetet e Bashkuara kanë transmetuar një njoftim para nisjes në përputhje me Kodin e Sjelljes së Hagës dhe kanë njoftuar paraprakisht qeverinë ruse për detyrimet tona ekzistuese dypalëshe”, tha Gjenerali i Brigadës Pat Ryder në një konferencë për media të martën.