Qeveria e SHBA-ve ka marrë mbi 350 raportime të atyre që njihen si “objekte ajrore të paidentifikuara” ose shkurtimisht, UFO që prej Mars 2021 dhe gjysma janë të pashpjeguara, sipas një raporti të zyrës së drejtuesit të Inteligjencës Kombëtare, të publikuar të enjten.
Zyra përgjegjëse e Pentagonit për ndjekjen dhe studimin e raportimeve ka identifikuar paraprakisht 163 prej tyre si “tullumbace” . Një mori raportimesh të tjera iu janë atribuuar droneve, zogjve, fenomeneve atmosferike ose mbeturinave, si qeset plastike, shkruan “CNN”.
Por “ndarja fillestare nuk do të thotë e zgjidhur ose e paidentifikuar”, thotë raporti. 171 rastet e mbetura vijojnë të mos kenë një shpjegim nga qeveria amerikane. “Disa prej objekteve të paklasifikuara duket se kanë demonstruar karakteristika të pazakonta në fluturim ose performancë dhe nevojitet analizë e mëtejshme”.
Dokumenti i parë u lëshua në vitin 2021 dhe u ekzaminuan 144 raste, ku vetëm një prej tyre mundi të shpjegohej nga hetuesit. Raporti i së enjtes ka një rritje drastike nga paraardhësi i tij dhe disa prej 366 rasteve në total mbulojnë incidente të ndodhura para Marsit 2021, por 250 prej tyre kanë ndodhur pas kësaj date.
Raporti i së enjtes pranoi mundësinë që pamjet mund të përfaqësojnë një platformë të huaj të inteligjencës, por hetuesit nuk duket se kanë grumbulluar ndonjë provë për të mbështetur këtë përfundim.