Putin: Rusia duhet të fitojë besimin tek SHBA, për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

19 February 2025, 23:58Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Putin: Rusia duhet të fitojë besimin tek SHBA, për t'i
Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin tha të mërkurën se vendi i tij duhet të fitojë besimin tek Shtetet e Bashkuara, përpara se t'i jepet një zgjidhje luftës trevjeçare të vendit të tij në Ukrainë.

Putin u tha gazetarëve në Shën Petersburg se ishte i kënaqur me rezultatin e bisedimeve të nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë të cilat u mbajtën të martën në Arabinë Saudite.

Ai shtoi se ato ishin një "hap i parë" drejt përmirësimit të marrëdhënieve të tensionuara mes Moskës dhe Uashingtonit.

Por ai shtoi se "është e pamundur të zgjidhen shumë çështje, përfshirë kriza ukrainase, pa rritur nivelin e besimit mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara".

Gjatë një fjalimi televiziv Presidenti Putin tha se do të dëshironte të mbante një takim të nivelit të lartë me Presidentin amerikan Donald Trump", por që ai të prodhonte rezultate sipas tij, nevojiteshin përgatitje paraprake.

Bisedimet në Riad, të udhëhequra nga Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, ishin të parat bisedime të rëndësishme mes dy superfuqive, pas më shumë se tre vitesh nga sulmi rus ndaj Ukrainës si dhe përpjekjeve perëndimore të udhëhequra nga Uashingtoni për të armatosur Kievin, me synim zmbrapsjen e sulmit.

"Jam informuar mbi bisedimet. I vlerësoj lart dhe ka rezultate", tha Putin sipas agjencisë së lajmeve 'Interfax' në një fabrikë dronësh në Shën Petersburg. “Për mendimin tim, ne bëmë hapin e parë për të rikthyer bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interesa të përbashkëta".

As zyrtarët ukrainas dhe as evropianë nuk ishin në tryezë në bisedimet e Riadit, por Shtetet e Bashkuara thanë se ata do të përfshiheshin në negociatat e ardhshme për t'i dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Moska e filloi agresionit ndaj Ukrainës pothuajse katër vjet më parë. Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë vazhdimisht se vendi i tij nuk do të pranojë një zgjidhje të imponuar të konfliktit.

Ndërsa ish-presidenti amerikan Joe Biden dha dhjetëra miliarda dollarë në armatime për Kievin, presidenti aktual Donald Trump, po nxit një fund të shpejtë të luftës të filluar nga Moska.

Ai tha të martën se Ukraina "nuk duhet ta kishte filluar kurrë" luftën. Në një koment të ri të mërkurën në platformën e tij "Truth Social", Trump e quajti Presidentin Zelensky një "diktator të pazgjedhur”.

Trump tha gjithashtu se e vetmja gjë për të cilën zoti Zelensky kishte qenë i zoti, ishte manipulimi i paraardhësit të tij Joe Biden.

“Unë e dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është shkatërruar dhe miliona njerëz kanë vdekur në mënyrë të panevojshme ”, u shpreh zoti Trump.

Duke folur përpara bisedimeve me të dërguarin amerikan për Ukrainën dhe Rusinë Keith Kellogg në Kiev, Zelensky tha se "Presidenti Trump ... fatkeqësisht jeton në këtë hapësirë dezinformimi" të shkaktuar nga Rusia.

Zelensky u tha gazetarëve përpara takimit me zotin Kellogg se megjithëse zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk do të ketë dislokim trupash amerikane si pjesë e ndonjë misioni të mundshëm paqeruajtës të pasluftës, ata mund të ndihmojnë me mënyra të tjera, si për shembull me sisteme të mbrojtjes ajrore.

Vizita e zotit Kellogg në Ukrainë vjen mes një vale diplmacie ndërkombëtare. Po të mërkurën Presidenti francez Emmanuel Macron po mban një raund të dytë bisedimesh me udhëheqësit evropianë, të cilët gjithashtu kanë shprehur shqetësimin që janë përjashtuar nga tryeza.


Video