
Lufta moderne është e mbushur me teknologji më të avancuar, nga inteligjenca artificiale te dronët dhe raketat hipersonike, por... një teknologji që është më shumë se një shekull e vjetër po dëshmon ende vlerën e saj: kodi Morse.
Tonet stakato, të cilat para 150 vjetësh një punonjës i hekurudhave do t'i njihte menjëherë, përdoren ende nga ushtria ruse në luftën e Ukrainës.
Edhe sot shumë njerëz mund të identifikojnë tingullin karakteristik të kodit Morse, veçanërisht modelin e mirënjohur tre të shkurtër, tre të gjatë, tre të shkurtër (… - - - …), i cili formon sinjalin e urgjencës SOS.
Sot mesazhet dërgohen në kodin Morse nga bombarduesit rusë në qendrat e tyre të kontrollit, ose nga anijet e Flotës Baltike në selinë e tyre në tokë.
Bandat e valëve të shkurtra të përdorura nga radio amatore janë të mbushura në mënyrë të ngjashme me bipe të njohura si "dits" (.) dhe "dahs" (-), ose si pika dhe viza. Edhe spiunët ende sintonizohen në bandat e valëve të shkurtra për të dëgjuar stacionet klandestine që transmetojnë në kodin Morse.
I shpikur në shekullin XIX
Pra, pse një teknologji e krijuar në gjysmën e parë të shekullit të 19-të përdoret ende sot?
Para së gjithash, kodi Morse nuk u konceptua nga një inxhinier apo “magjistar” i teknologjisë, por nga një njeri që siguronte jetën duke pikturuar portrete. Samuel Morse fillimisht projektoi atë që ne sot do ta quanim teleprinter, një pajisje që merr dhe printon tekst në letër.
Morse kërkoi ndihmën e makinistit Alfred Vail, për të përpunuar detajet. Ishte ky i fundit që krijoi pikat dhe vizat për të përfaqësuar kodin dhe i lindi ideja e përdorimit të tingullit për të transmetuar informacion.
Në fillim, tingulli kishte për qëllim vetëm për të testuar një lidhje. S'kaloi shumë, Morse dhe Vail e kuptuan se ideja e printimit nuk ishte praktike. Megjithatë, kur ata shtuan tingullin, ata gjetën një koncept që ishte më i shkëlqyer dhe më i dobishëm sesa mund ta imagjinonin.
Tipari kryesor i kodit Morse është se, në formë tingulli, ai formon një ritëm. Prandaj, ka pika të përbashkëta me muzikën. Në fakt, është vërejtur se njerëzit e talentuar në muzikë mund të mësojnë Morse më shpejt.
Duke stimuluar ndjenjën e lindur njerëzore të ritmit, kodi Morse aktivizon gjithashtu ndjenjën tonë të njohjes së modelit. Kjo është një aftësi e rrënjosur thellë në trurin tonë dhe ka potencial të madh për të deshifruar mesazhet edhe nëse ato janë të paplota.
Një operator me përvojë i kodit Morse mund të plotësojë boshllëqet e shkaktuara nga ndërhyrjet, marrja e dobët, zhurma ose mosfunksionimi i pajisjeve.
Në kuptimin neurologjik, Morse zë një vend shumë të veçantë, krahasohet me "leximin me veshë", por ku transmetimi dhe marrja janë më shumë të ngjashme me aktin e të folurit sesa me shkrimin.
Aspekti tjetër i dukshëm i kodit Morse është thjeshtësia e tij teknologjike. Çdokush me njohuri bazë teknologjike mund të ndërtojë transmetuesin e tij duke përdorur komponentë standardë.
????????Russian Navy Baltic Fleet HQ Kaliningrad [RMP] sending Morse code weather conditions to REO. REO is a collective callsign meaning “To all Russian ships in Baltic Sea”.
— Shortwave78 (@shortwave78) April 15, 2024
Received in ????????Milan Italy 8417KHz April 15 2024 at 1801z pic.twitter.com/HloKlrZRKr
Sinjali i gjeneruar nga një transmetues Morse është njëlloj minimalist dhe përdor një gjerësi bande shumë të ngushtë prej vetëm 100-150 hertz (komunikimet standarde të zërit përdorin 2500-3000 hertz).
Kjo do të thotë që marrësit mund të përdorin filtra shumë të ngushtë dhe kështu të eliminojnë shumë nga zhurmat e ambientit të krijuara nga ndërhyrjet e ndryshme.
Duke qenë kaq efikas, Morse ka nevojë vetëm për një minimum fuqie për të udhëtuar në distanca të konsiderueshme.
Të pasionuarit e radios demonstruan në vitin 1956 se vetëm 78 milivat mund të ishte fuqi e mjaftueshme për të transmetuar nga Massachusetts në Danimarkë.

Kjo është më pak se një e dhjeta e asaj që përdor një llambë e vetme LED. Ndërkohë që një aparat kafeje standard prodhon pijen e preferuar të mëngjesit të shumicës së njerëzve, përdor më shumë se një mijë herë më shumë energji.
Ky kombinim i thjeshtësisë dhe efikasitetit teknologjik ishte i dobishëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur anëtarët e rezistencës dhe komandot aleate përdorën transmetuesit portativ Morse për të mbajtur kontakte me Londrën nga brenda territorit të pushtuar nga gjermanët.
Ishte një ndërmarrje shumë e rrezikshme, pasi gjermanët dëgjonin vazhdimisht valët. Kodi Morse, megjithëse i pakuptueshëm për veshin e patrajnuar, nuk ofron siguri në vetvete.
Sot, edhe ata pa trajnim mund të përdorin softuer për të deshifruar përmbajtjen e një mesazhi të dërguar duke përdorur kodin Morse. Sidoqoftë, çdo mesazh mund të bëhet i sigurt duke e enkriptuar përpara se ta dërgosh, siç propozoi Vail në 1845.
Në fakt, një nga format më të sigurta të kriptimit, "blloku me një përdorim" nuk kërkon asgjë më shumë se një stilolaps dhe letër. Në thelb, një bllok njëpërdorimësh është një varg i rastësishëm karakteresh, të paktën për aq kohë sa mesazhi duhet të kodohet.
Dërguesi përdor bllokun e tij për të kriptuar, ndërsa marrësi përdor një kopje të të njëjtit bllok për të deshifruar mesazhin (duhet të ketë vetëm dy kopje dhe secila duhet të shkatërrohet menjëherë pas përdorimit).
Për sa kohë që një fletore nuk ripërdoret kurrë, ajo mbetet teorikisht e pathyeshme, edhe me teknologjinë më moderne.
Ndërsa sot ekzistojnë teknologji më efikase të komunikimit dixhital, asgjë nuk mund të rivalizojë kombinimin e patejkalueshëm të thjeshtësisë dhe efikasitetit që ka lejuar kodin Morse të mbijetojë për më shumë se 150 vjet.
*Tony Ingesson është profesor i asociuar i Shkencave Politike në Universitetin e Lundit.
*Ky artikull u botua në The Conversation dhe u përkthye nga VoxNews. Klikoni këtu për të lexuar versionin origjinal.