Shpërbërja e ngadaltë e Mbretërisë së Bashkuar duket se po përshpejtohet. Deklarata e fundit e kryeministrit Andy Burnham, se Skocia dhe Irlanda e Veriut ndodhen në “pikërisht të njëjtën” situatë kushtetuese dhe se mbështetja e shumicës së qytetarëve, mund të mjaftojë për një referendum mbi të ardhmen e tyre, është vetëm shenja më e fundit e një krize që ka vite që zhvillohet.
Në themel të saj qëndron devolucioni, procesi përmes të cilit Westminster-i u transferoi kompetenca të konsiderueshme institucioneve të Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut.
Ideja ishte që vetëqeverisja do të qetësonte kërkesat nacionaliste dhe do ta bënte unionin më të qëndrueshëm. Në praktikë, ndodhi e kundërta.
Në Irlandën e Veriut, rikthimi i vetëqeverisjes ishte pjesë e marrëveshjes së paqes. Por sistemi politik mbeti i varur nga bashkëjetesa e detyruar e Sinn Féin dhe DUP, dy forcave me vizione krejt të ndryshme për të ardhmen.
Ndërsa Sinn Féin është bërë forca dominuese, objektivi i saj kryesor mbetet bashkimi i Irlandës. Vështirë të pritej diçka tjetër nga një parti që e ka këtë si arsyen themelore të ekzistencës.
Edhe Uellsi po lëviz në të njëjtin drejtim. Plaid Cymru erdhi në pushtet duke premtuar se pavarësia nuk do të ishte përparësia e saj e menjëhershme.
Por pasi një parti nacionaliste merr kontrollin e institucioneve autonome, kërkesa për më shumë kompetenca dhe, më pas, për sovranitet të plotë është një hap logjik.
Skocia është shembulli më domethënës. Kur u krijua Parlamenti skocez, unionistët paralajmëruan se devolucioni mund ta forconte nacionalizmin. Paralajmërimi u shpërfill.
Brenda pak vitesh, SNP mori kontrollin e Holyrood-it dhe nisi ta përdorte institucionin e devolucionit si një mjet presioni ndaj Westminster-it.
Fillimisht kërkoi kompetenca të tjera. Pastaj kërkoi referendum për pavarësinë dhe Londra ia dha. Edhe pse referendumi i vitit 2014 u fitua nga unionistët, procesi nuk u mbyll.
Përkundrazi, nacionalistët vazhduan të kërkonin zgjerimin e autonomisë. Këtu qëndron paradoksi i madh: devolucioni nuk u bë pengesë për pavarësinë, por rrugë drejt saj. Institucionet që duhej ta forconin unionin u kthyen në instrumente për ta sfiduar atë.
Ishte një “kalë Troje”, që në një farë mënyre, britanikët e ndërtuan vetë. SNP ka përdorur qeverinë skoceze për të kundërshtuar politika të Westminster-it, përfshirë Brexit-in, dhe ka zhvilluar një prani ndërkombëtare që në disa raste i ngjan asaj të një shteti më vete.
Kjo ka ndodhur pavarësisht faktit se politika e jashtme mbetet kompetencë e Londrës. Ironia është se bilanci i qeverisjes nacionaliste nuk është veçanërisht bindës.
Skocia vazhdon të përballet me probleme në arsim, shëndetësi, transport dhe infrastrukturë. Por dështimet në qeverisje nuk kanë mjaftuar për të dobësuar ndjeshëm identitetin politik pro-pavarësisë.
Por përgjegjësia nuk bie vetëm mbi nacionalistët. Qeveritë britanike, konservatore dhe laburiste, kanë pasur vite për ta reformuar devolucionin, por kanë zgjedhur ta shtyjnë problemin.
Nga Londra, vetëqeverisja shihej si një mënyrë për t’i lënë rajonet të menaxhonin vetë problemet e tyre. Tani ato kërkojnë më shumë se kaq. Kërkojnë sovranitet.
Reforma ende është e mundur, por do të kërkonte një vullnet politik shumë më të madh se më parë. Problemi është se Westminster vazhdon të jetojë me krizën e radhës, ndërsa ideja e unionit humbet gradualisht forcën.
Ndoshta ky është paradoksi më i madh: kërcënimi ndaj Mbretërisë së Bashkuar nuk vjen vetëm nga ata që duan ta shpërbëjnë, por edhe nga ata që nuk besojnë më aq fort tek ajo sa për ta mbrojtur.
Mund të vijë dita kur flamuri i unionit të ulet përgjithmonë. Dhe atëherë mund të jetë tepër vonë për të pyetur se kush duhej ta kishte shpëtuar.