
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit aktual të Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka dhe një personit tjetër pasi që dyshohen për veprat penale “Sulmi” dhe “Kanosje”.
Lajmin e ka bërë të ditur sistemi prokurorial përmes një komunikate për media, në të cilën thuhet se e gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak të një mosmarrëveshje lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale.
Ai u ndalua në shkurt të këtij viti së bashku me djalin e tij për sulm dhe kanosje ndaj një femre.
Damka është kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, e cila ka garuar në zgjedhjet parlamentare. Ai dyshohet se ka sulmuar një kandidate nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore.
“Për partinë “KDTP” dhe për kryetarin e partisë-të pandehurin F.D.(1972), derisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në parkun e lagjes me disa anëtarë tjerë të partisë së tyre “YTHP”, për një moment i pandehuri hyn në park dhe me vrull i afrohet të dëmtuarës, dhe i drejtohet me fjalë kanosëse”.
“Më pas me dy duart e kap të dëmtuarën nga pjesa e supeve dhe e shtynë, ku më pas aty ndërhyjnë të pranishmit dhe e largojnë të njëjtën nga parku, më pas i pandehuri i drejtohet të dëmtuarit M.J., me fjalë kanosëse dhe menjëherë e sulmon, duke e goditur me trupin e tij, trupin e të dëmtuarit dhe me kokën e tij e shtyen kokën e të dëmtuarit, me ç`rast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.