
Nexhmije Haradini mbeti e vrarë sot në Stanoc të Vushtrrisë të Kosovës nga një 58-vjeçar, i cili më pas bëri vetëvrasje.
Siç njoftoi Policia e Kosovës, nga hetimet fillestare, dyshohet se autori Arsim Morina ka qëlluar për vdekje nënën e 3 fëmijëve dhe më pas ka qëlluar edhe veten.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës bëri ditur se janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë po hetohen të gjitha rrethanat që kanë çuar në këtë ngjarje të rëndë. Lidhur me ngjarjen reaguan edhe të afërmit e viktimës.
Rrahim Ajeti bëri të ditur se viktima dhe burri i saj kishin punuar më herët me të dyshuarin për vrasje, dhe se vrasja dyshohet të ketë ndodhur për arsye xhelozie të ndërrimit të vendit të punës. Ai theksoi se e ndjera kishte qenë një grua shembullore.
“Jam familjar i të ndjerës, dua të ju njoftoj se siç po qarkullojnë informatat nuk janë burrë e grua, para një kohe ka qenë punëtore e tyre me gjithë bashkëshortin, por rrethanat se si ka ardhë deri te vrasja nuk i dimë as ne si familje. Ka qenë një grua shembullore. Xhelozia se pse ke shkuar te një tjetër vend me punu e ke lanë të unë”, tha ai.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook reagoi edhe i biri i të ndjerës. Ai publikoi një fotografi me nënën ku shkroi: “Inshallah në xhehnet, nana jem”.