
Ndërsa bota është pushtuar nga ethet e një lufte të mundshme mes Ukrainës dhe Rusisë, Vladimir Putin ka larguar jahtin e tij nga një port në Gjermani gjatë kësaj jave, duke nxitur spekulimet se ai po i frikësohet sanksioneve të mundshme në rast të sulmit, shkruan Daily Mail.

Jahti i quajtur Graceful ka një vlerë prej 73,2 milionë paund. Ai është ndërtuar nga Sevmash në Rusi, ndërsa më pas lundroi për në Gjermani për modifikime të vogla. Luksi mbizotëron gjithandej në jahtin 82 metra të gjatë.
Bild ka shkruar së fundmi se jahti u “arratis” përpara se të gjitha riparimet të kishin përfunduar.

Ndërkohë, një luftanije ruse ka detyruar një nëndetëse amerikane të largohet nga ujërat territoriale të Federatës Ruse në rajonin e Ishujve Kuril, ku flota e Paqësorit të Marinës ruse po kryen stërvitje, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Sipas deklaratës, ushtria ruse paralajmëroi ekuipazhin e nëndetëses amerikane se ishte në ujërat territoriale ruse dhe kërkoi që ajo të dilte, gjë që ushtria amerikane e injoroi.
“Në përputhje me udhëzimet për mbrojtjen e kufirit shtetëror të Federatës Ruse në mjedisin nënujor, ekuipazhi i fregatës së Flotës së Paqësorit ‘Marshal Shaposhnikov’ përdori mjetet e duhura”, thuhet në deklaratë.
Theksohet se nëndetësja amerikane, me ndihmën e një simulatori vetëlëvizës, dyfishoi objektivin në radar dhe mjetet akustike të kontrollit dhe u largua me shpejtësi maksimale nga ujërat territoriale të Rusisë.
Ndodh ky incident nën një atmosferë të rënduar tensioni, ku amerikanët kanë paralajmëruar Rusinë që mos guxojë të sulmojë Ukrainën.
Megjithatë, ky është versioni rus, ndërsa nuk ka një version amerikan.