Fitorja dominuese e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA ka lënë shumë politikanë, krerë industrie dhe gjeneralë ushtarakë në dyshim për atë që duhet të bëjnë me postet e tyre.
Mandati parë i republikanit solli ndryshime të konsiderueshme në një seri politikash si ato për pandeminë, normalizimin e lidhjeve mes Izraelit dhe disa kombeve arabe, apo prishjen e lidhjeve me Iranin pas tërheqjes nga marrëveshja nderkombetare bërthamore.
Por pas katër vitesh nga administrata e parë Trump që u largua në janar 2021, bota është ndryshe dhe lufta në Ukrainë është në vitin e tretë, kurse Lindja e Mesme është përfshirë nga gjakderdhja e Luftës së Izraelit ndaj Hamas e Hezbollah ne Gaza e Liban.
Qasja e Trump ndaj këtyre problemeve nuk është ende e qartë, por një raport i fundit deklaron se ngrirja e konfliktit në Ukrainë do të kryhet me anë të një zone të demilitarizuar prej rreth 1000 km në lindje të vendit.
Megjithëse Zelensky dhe partnerët e tij evropianë insistojnë se Kievi nuk duhet të japë territore ndaj Kremlinit, kjo nuk është konfirmuar nga zyrtarët e rinj të SHBA.
Rrjeti britanik MailOnline duke tentuar të zbërthejë politikat e pritura të Trump përmend faktin se presidenti i ri ka thënë se “lufta në Ukrainë nuk duhet të kishte filluar kurrë dhe se sikur të kishte qenë president, do të kishte ndaluar konfliktin menjëherë”, por pa treguar mënyrën sesi do ta arrinte këtë.
Një raportim i fundit Wall Street Journal citon tre burime të afërta me presidentin që thonë se administrata po mendon propozimin e ndalimit të aderimit të Ukrainës në NATO për të paktën 20 vjet, në këmbim të marrëveshjeve fitimprurëse të armatimeve.
Ndërsa vetë konflikti do të ndalohet me krijimin e një zone të demilitarizuar në lindje, duke i lënë Rusisë rreth 20% të territorit, që tashmë është aneksuar nga Rusia.
Burimet nuk tregonin për mënyrën e menaxhimit ose monitorimit të territorit përveçse thanë se trupat paqeruajtëse nuk do të ishin amerikane.
Britania, Franca e Gjermania janë zotuar për mbështetje ndaj Ukrainës ndërsa in Zelensky thotë se nuk do të lëshojë territore ndaj Vladimir Putin.
Prandaj dhe është e vështirë të shihet sesi ky plan do të realizohet dhe qe gjithashtu do të dëmtonte lidhjet e Uashingtonit me Evropën, shkruan Daily Mail.
Por analistët kanë paralajmëruar dhe më parë se Trump kërkon të reduktojë furnizimet ushtarake për Ukrainën duke kërkuar që partnerët evropianë ta bëjnë këtë, dhe kjo shton presionin ndaj Zelensky për një marrëveshje paqeje duke lëshuar territoret e aneksuara.
“Trump ka të drejtë sa i përket faktit që evropianët duhet të kontribuojnë më shumë me armatime e predha për luftën”, tha Dr Russell Foster, profesor politike në King’s College London, sipas MailOnline.
“Por Evropa, Kanadaja e Austral-Azia duhet të kontribuojnë më shumë”, shtoi ai.
Ekspertët shtojnë se përveç Ukrainës e NATOs, presidenca e Trump sjell shqetësime për ekonominë e marrëveshjet tregtare.
Rikthimi i Trump pritet të sjellë gjithashtu relaksim të rregullatorëve tregtarë, financiarë e industrialë, ndërsa pritet shtim i rregullacioneve për bankat kriptovalutat.
Më parë Trump vendosi tarifa të shtuara për çelikun e aluminin evropian në SHBA në 2018, duke sjellë kundërmasa tarifore nga BE për motoçikletat amerikane, uiskin, xhinset e të tjera.
Për momentin KE ka ngritur një grup ekspertësh financiarë për të studiuar sesi do të preket ekonomia pas inaugurimit të Trump në janar, shkruan Daiy Mail.