Njeriu më i fuqishëm në botë në aleancë me njeriun më të pasur/ Roli i Musk në fitoren e Trump

8 Nëntor 2024, 23:44Kosova&Bota SHKRUAR NGA ASSOCIATED PRESS
Elon Musk

Menjëherë pasi republikani Donald Trump shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të mërkurën në mëngjes, presidenti i zgjedhur lavdëroi mbështetësin e tij, sipërmarrësin miliarder në sektorin e teknologjisë, Elon Musk.

Pas fitores së zotit Trump, bota do të shohë njeriun më të fuqishëm në botë në një aleancë të ngushtë me një prej njerëzve më të pasur në botë, i cili është po ashtu pronar i një prej platformave më të mëdha të rrjeteve sociale.

Një eksperte me bazë në Mbretërinë e Bashkuar thotë se situata është “e paprecedentë”.

“Një yll ka lindur”, tha republikani Donald Trump para mbështetësve në Florida, menjëherë pasi shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Ai nuk po i referohej vetes, por mbështetësit të tij miliarder, Elon Musk.

“Është njeri i mrekullueshëm. Sonte kaluam kohë së bashku. Ai ishte dy javë në Filadelfia, në pjesë të ndryshme të Pensilvanisë duke bërë fushatë”, tha zoti Trump.

Nuk është risi të shohim njerëz të pasur që mbështesin politikanët, por disa ekspertë thonë se lidhja Trump-Musk është ndryshe.

“Mendoj se është mjaft unike, jo për faktin se Musk-u është një sipërmarrës, por se është një sipërmarrës teknologjie që ka ndikim në një sërë industrish të ndryshme. Ndikimi i tij shtrihet përtej funksioneve që ka”, thotë Dr. Stephania Alice Baker, profesore e asociuar e sociologjisë në Universitetin City në Londër.

Sipërmarrësi Musk është pritur si një yll i njohur nga mbështetësit e zotit Trump, përfshirë ata në një tubim në Butler të Pensilvanisë në tetor.

Kjo e bëri atë një figurë të rëndësishme në fushatën e zotit Trump, thotë ekspertja Baker.

“Nëse analizoni mbështetësit e tij, ata njihen me emrat ‘musketierë’ ose ‘muskitë’. Ai vlerësohet jo vetëm si një sipërmarrës teknologjie, por si një vizionar, një gjeni. Nuk di nëse mund të përcaktojmë ndikimin që ka pasur në zgjedhje. Por është e qartë se ka ndikuar shumë tek libertarianët dhe ata që janë të dhënë pas teknologjisë dhe që e adhurojnë atë”, thotë zonja Baker.

Gjatë fjalimit të fitores mëngjesin e së mërkurës, zoti Trump lavdëroi momentin kur mekanizmi i kompanisë Space X kapi me sukses një lëshues rakete në një provë muajin e kaluar.

“Ishte diçka e bukur për ta parë. E thirra Elonin dhe e pyeta nëse dikush tjetër mund ta bëjë këtë dhe ai më tha jo. E pyeta nëse mund ta bëjë Kina. Më tha jo! I thashë a mund ta bëjë dikush tjetër në Shtetet e Bashkuara përveç jush? Më tha jo, askush nuk mund ta bëjë këtë. I thashë se kjo është arsyeja pse të dua”, tha zoti Trump gjatë fjalimit të tij.

Ekspertja Baker thotë se suksesi i kompanisë SpaceX përputhet me synimet e lëvizjes MAGA.

“Nëse shihni mesazhin e planeve për ta bërë Amerikën madhështore sërish, pjesë e diskutimeve ishte edhe ideja nëse ne jemi vendi i vetëm që mund të bëjmë një gjë, duke rikthyer rëndësinë e Amerikës”, thotë ajo.

Sa i përket ndikimit të fitores së zotit Trump në platformën X, ekspertja Baker thotë se ky rrjet social ka të ngjarë të përparojë.

Video