
Paqartësitë mbi efektivitetin dhe mënyrën e zbatimit të bllokadës amerikane në Ngushticën e Hormuzit vijojnë, pasi disa anije kanë kaluar përmes korridorit strategjik detar edhe pas hyrjes në fuqi të masës së shpallur nga Washingtoni.
Sipas të dhënave të gjurmimit detar, disa mjete lundruese, përfshirë anije që kishin dalë nga porte iraniane ose transportonin produkte iraniane, kanë kaluar nëpër ngushticë pas nisjes së bllokadës.
Bllokada, e cila hyri në fuqi të hënën pasdite sipas orës lokale, ndalon sipas deklarimit amerikan të gjithë trafikun detar që hyn ose del nga portet dhe zonat bregdetare iraniane.
Megjithatë, mbetet e paqartë sesi forcat amerikane po e zbatojnë konkretisht këtë ndalim dhe nëse disa anije po përfitojnë nga periudha kalimtare apo nga autorizime të posaçme, shkruan New York Times.
Mes anijeve që kaluan pas nisjes së bllokadës ishte edhe Christianna, një anije mallrash me flamur liberian që kishte lënë portin iranian Bandar Imam Khomeini.
Një tjetër mjet, Elpis, që transporton metanol, kaloi gjithashtu në kohën kur bllokada po hynte në fuqi.
Anija rezulton të jetë sanksionuar më parë nga SHBA për lidhje me tregtinë iraniane të naftës.
Ndërkohë, disa anije të tjera duket se kanë ndryshuar kurs në momentet e para të hyrjes në fuqi të bllokadës, duke sugjeruar se masa amerikane ka ndikuar të paktën pjesërisht në trafikun detar.