
Një luan deti që u bë një atraksion popullor në Fjordin e Oslos u asgjësua për shkak të shqetësimit për sigurinë e publikut, thanë zyrtarët norvegjezë.
Luani, me nofkën Freya, u bë i famshëm pasi hipte në varka me turistë për t'u bërë banja dielli - ndonjëherë duke i fundosur varkat.
Njerëzit refuzuan paralajmërimet për të mos iu afruar shumë kafshës 600 kilogramëshe duke e vënë atë dhe veten në rrezik. Në një rast, policia bllokoi një zonë plazhi pasi luani ndoqi një grua në ujë, thonë mediat lokale.
Javën e kaluar, Ministria e Peshkimit e Norvegjisë publikoi një fotografi të një grupi të madh njerëzish, përfshirë fëmijë, që qëndronin në distancën e kontaktit me kafshën.
Të dielën, drejtori i përgjithshëm i peshkimit, Frank Bakke-Jensen, tha se vendimi për ta vrarë kafshën ishte bazuar "në një vlerësim të përgjithshëm të kërcënimit të vazhdueshëm ndaj sigurisë njerëzore".
“Përmes vëzhgimeve në terren javën e kaluar u bë e qartë se publiku nuk e ka respektuar rekomandimin aktual për të mbajtur një distancë të qartë me luanin e detit. Prandaj, Drejtoria ka konstatuar se mundësia për dëmtim të mundshëm për njerëzit ishte e lartë", tha Bakke-Jensen në një deklaratë.
Ai shtoi se ishin shqyrtuar opsione të tjera, duke përfshirë zhvendosjen e Freyas nga fjordi, por ato ishin hedhur poshtë për shkak të shqetësimit për mirëqenien e luanit të detit.
Operacioni për eutanizimin e saj ishte kryer "në mënyrë humane" thanë autoritetet dhe trupi i kafshës u mor për ekzaminime të mëtejshme nga veterinerët.
Freya, e cila u pa për herë të parë në kryeqytetin norvegjez në mes të korrikut, mori emrin e perëndeshës norvegjeze të bukurisë dhe dashurisë. Një specie e mbrojtur, luanët e detit zakonisht jetojnë më në veri në Arktik. Ata zakonisht nuk sulmojnë njerëzit, por ka pasur disa incidente të rralla.
Në një kopsht zoologjik në Kinë në vitin 2016, një turist dhe një kujdestar i kopshtit zoologjik u vranë nga një tillë. Turisti thuhet se kishte bërë selfie me krijesën kur ai u kap dhe u tërhoq nën ujë, ndërsa punonjësi hyri për ta shpëtuar, por gjithashtu u tërhoq poshtë.