Një ditë pas protestës për respektimin e të drejtave, në Bujanoc shfaqen shkrime “vdekje shqiptarëve”

13 Gusht 2024, 23:17Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Grafiti "vdekje shqiptarëve" në Bujanoc

Shkrime ekstremiste ndaj shqiptarëve janë shfaqur në Bujanoc, një ditë pas protestës së mbajtur nga shqiptarët e Luginës së Preshevës për respektimin e të drejtave të tyre nga shteti serb.

Ajo që e bën edhe më të rëndë rastin, përveç fjalëve “vdekje shqiptarëve”, është se ky grafiti është shkruar brenda Shtëpisë së Shëndetit të Bujanocit.

Këtë e ka bërë me dije kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, i cili kërkon nga autoritetet të hetojnë rastin.

“Në oborrin e Shtëpisë së shëndetit në Bujanoc gjatë ditës së sotme, qytetarët e kanë parë këtë grafit "vdekje shqiptarëve". Ftoj organet e rendit që ta zbulojnë autorin dhe të merren masat”, shkruan ai.

Shqiptarët e Preshevës protestuan për të drejtat e tyre të mohuara nga shteti serb, teksa politikanët në Shqipëri duket se e kanë kaluar në heshtje këtë moment, pa asnjë lloj deklarate mbështetëse ndaj tyre.

Video