Një aeroport sekret në Europën Lindore, baza e Perëndimit për të dërguar armë në Ukrainë

7 March 2022, 17:37Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një aeroport sekret në Europën Lindore, baza e Perëndimit

Kreu i Shtabit të Përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjeneral Mark Milley vizitoi javën e kaluar në një aeroport pranë kufirit ukrainas, i cili është kthyer në qendër për transportin e armëve.

Ndërsa ishte në aeroportin i cili ndodhet në Europën Lindore, Milley u takua me trupat dhe personelin, si dhe ekzaminoi aktivitetin e dërgesës, raporton CNN, duke cituar një zyrtar amerikan të Mbrojtjes.

Aeroporti është kthyer në një bazë aktiviteti të përbashkët gjatë ditëve të fundit, duke rritur kapacitetin nga një pjesë e vogël e fluturimeve çdo ditë, deri në 17, shifër e cila është edhe kapaciteti maksimal i pistës.

Vendndodhja e aeroportit mbahet sekret për të mbrojtur dërgesat e armëve, duke përfshirë edhe raketat anti-blind, në Ukrainë.

Ushtria ruse nuk i ka shënjestruar këto dërgesa pasi hyjnë në Ukrainë, tha zyrtari amerikan i Mbrojtjes, por ka disa shqetësime se mund të fillojë të synojë dërgesat ndërsa sulmi i saj përparon.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarët e tjerë të NATO-s i kanë dërguar Ukrainës deri më tani 17 mijë raketa anti-tank dhe 2000 raketa anti-ajrore Stinger.

Që nga fillimi i pushtimit rus, 14 vende kanë dërguar ndihmë në Ukrainë. Pasi kanë marrë armët, ukrainasit i kanë përdorur ato për të ngadalësuar dhe frenuar sulmet ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës.


Video