Shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje për valën e shpërthimeve të njëkohshme në mijëra pajisje të komunikimit të Hezbollahut, që ndodhi në Liban të martën pasdite.
Teksa Izraeli mohon të jetë prapa sulmit që la 12 persona të vdekur dhe plagosi mbi 3000 të tjerë, misteri shoqëron pyetjen se kush i prodhoi radiomarrësit që shpërthyen, pasi sipas raporteve nga Reuters dhe New York Times, shpërthimet u shkaktuan nga eksplozivë të vendosur në këto pajisje.
Sipas raportimeve, pajisjet e komunikimit AR-924 ishin bllokuar me disa dhjetëra copëza eksplozivi të vendosura pranë baterisë së tyre së bashku me detonatorët dhe janë shitur nga kompania Gold Apollo nga Tajvani.
Vetë kompania Gold Apollo doli me një deklaratë për të sqaruar se pajisjet që shpërthyen pothuajse njëkohësisht u prodhuan nga kompania me bazë në Hungari, e quajtur “BAC Consulting KFT”.
“Kjo kompani ka punuar me ne dhe shet mjaft nga produktet tona. Ata gjithashtu donin të prodhonin pajisje komunikimi, kështu që kërkuan leje për të përdorur emrin e kompanisë sonë”, tha presidenti tajvanez i Gold Apollo, Hsu Ching Kuan, duke shtuar se marrëveshja me BAC hungareze ka qenë e vlefshme për tre vitet e fundit.
Megjithatë shefja ekzekutive e kompanisë hungareze, Cristiana Barsoni-Arcindiacono dha një version të ndryshëm edhe pse ajo konfirmoi se ata janë duke punuar me Gold Apollo. “Ne nuk prodhojmë të tillë radiomarrës. Ne jemi vetëm ndërmjetësit. Mendoj se e keni keqkuptuar”, tha Barsoni, siç raportohet nga NBC.
Me gjithë këto deklarata dhe kundërdeklarata, rasti i ngjan një filmi misterioz me spiunë dhe pyetja që shtrohet është: “A është BAC Consulting KFT një kompani fantazmë?”.
Siç raportohet nga Reuters, megjithëse zyrat e BAC Consulting ndodhen në një ndërtesë dykatëshe në periferi të Budapestit, kompania thuhet se nuk ka një prani fizike atje, gjë që ngre pikëpyetje në lidhje me funksionimin e saj.
Sipas dëshmive të mbledhura nga Reuters, kompania nuk ka aktivitet fizik në kryeqytetin hungarez, por vetëm një mbishkrim në një fletë A4, të vendosur në një derë xhami.
Mbetet e panjohur nëse kompania ka një aktivitet aktual në fushën e konsulencës apo është e përfshirë në lloje të tjera transaksionesh.
Shefja ekzekutive e kompanisë, Cristiana Barsony-Arcidiacono, nuk iu përgjigj kërkesave të Reuters për koment, ndërsa profili i saj në LinkedIn thotë se ajo ka punuar për organizata ndërkombëtare si UNESCO.
“Kompania është themeluar para vitit 2010 me krijimin e një zyre në Budapest dhe që atëherë ka shtuar ekipin e saj të konsulentëve”, thotë në profilin e saj Cristiana Barsony-Arcidiacono.
Zbulimi i BAC Consulting dhe shpërthimi masiv i radiomarrësve të Hezbollahut ngre shqetësime serioze rreth mënyrës se si organizatat në Lindjen e Mesme blejnë pajisje ushtarake dhe ngre çështjen e transparencës në tregtinë ndërkombëtare.
Nga ana e saj, Ministria e Çështjeve Ekonomike të Tajvanit njoftoi se Grand Apollo vazhdoi të eksportonte 260,000 radiomarrës nga viti 2022 deri në gusht 2024, kryesisht në tregjet evropiane dhe amerikane.
Sipas të njëjtit njoftim, nuk ka pasur asnjëherë raportime për shpërthime në lidhje me këto produkte, ndërkohë që nuk ka të dhëna për eksporte direkte të Grand Apollo në Liban.
“A ishte një grup i modifikuar? A i ka bërë një prodhues tjetër dhe i ka vënë vetëm markën Apollo? Ne jemi ende duke e shqyrtuar këtë”, shtoi një zëdhënës i ministrisë tajvaneze për NBC.
E vërteta që dimë të gjithë në këtë rast është se Hezbollah bleu 5000 radiomarrës të montuar me eksploziv 5 muaj më parë, thotë një oficer pensionist i ushtrisë libaneze.
“Në pajisje ishin të lidhura disa gram eksploziv të vështirë për t'u zbuluar dhe u vendosën në bateri në një mënyrë që sigurohej se ato nuk mund të zbuloheshin nga sensorë ose ndonjë mjet për zbulimin e eksplozivëve", tha Munir Sehada, një ish-koordinator i qeverisë me OKB-në në misionin paqeruajtës UNIFIL.
Ai tha se lloji i eksplozivit ende nuk është konfirmuar pasi laboratorët janë ende duke punuar për të, por ato janë "eksplozivë të sofistikuar, të bërë nga materiale moderne që nuk mund të zbulohen nga sensorët".
"Bateritë e litiumit, nëse marrin flakë ose shpërthejnë, nuk e bëjnë atë lloj dëmi. Nga video duket se shpërthimet ishin të fuqishme, ndërsa një bateri litiumi shkakton vetëm një flakë të vogël dhe një shpërthim shumë të vogël”, shtoi Sehanda.
Lidhur me vendin ku u modifikuan pajisjet, Sehanda tha se "është shumë herët për të diskutuar". Ai tha se Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hassan Nasrallah do të mbajë një fjalim sot në lidhje me shpërthimet, si u kapën pajisjet dhe se si organizata e tij do t'i përgjigjet situatës së krijuar.