Forca e Sigurisë së Kosovës ka shpëtuar nga rrënojat dy persona në Turqi.
Në bashkëpunim me ushtrinë turke, 160 orë pas lëkundjeve shkatërruese, FKS-ja ka arritur të nxjerrë një 45-vjeçar dhe një vajzë 13-vjeçare, që ishin bllokuar nën një ndërtesë.
“Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetën e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ministri i Mbrojtjes të Kosovës, Armend Mehaj, e cilësoi si “lajm të mrekullueshëm” shpëtimin e dy personave nga pjesëtarët e FSK-së në Hataj.
“Shpresojmë se orëve në vijim pjesëtarët tanë të FSK-së të gjejnë edhe të tjerë të mbijetuar nën rrënojat e krijuara pas këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkroi ai në Facebook.
Më 8 shkurt, në qytetin Hataj, pjesëtarët e FSK-së arritën të shpëtonin një fëmijë 2-vjeçar dhe të ëmën.