Ministri serb Bratislav Gashiç deklaron se autoritetet serbe e dinë se kush e ka vrarë ish-drejtuesin e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Ai ka paraqitur një raport të zgjeruar të grupit të punës që është ngritur për këtë çështje dhe sipas tij vrasësi ndodhet në Gjermani nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane.
“Ne e dimë me saktësi se kush është vrasësi dhe ne u kemi kërkuar autoriteteve gjermane nën mbrojtjen e të cilave ky njeri është në këtë moment që të na japin të gjithë informacionin. Kemi fotografi nga aeroporti i Tiranës kur ai ka zbritur, kemi fotografi kur hyri në Prishtinë, kemi fotografi kur hyri në apartament dhe kërkesa jonë konstante drejtuar partnerëve, miqve tanë, është të na japin të gjitha pamjet kamera të satelitëve dhe thonë se nuk është e mundur. Ka patur mjegull. Ka mjegull në Londër 350 ditë në vit, tani ka një ditë në Mitrovicë…Rasti është zgjidhur në mënyrën sesi e zgjidhin profesionistët”, citohet ministri i Brendshëm serb.
Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar 2018, me gjashtë plumba në shpinë. Vrasja u krye para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Mbi pesë vjet pas kësaj vrasjeje, rasti ende nuk është zgjidhur. Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur tri aktakuza, por në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, përmenden vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e veprës penale të vrasjes së Oliver Ivanoviçit”, por jo autori i vrasjes apo porositësi.
Aktakuza janë ngritur ndaj zyrtarëve policorë Nedelko Spasojeviç, Radeta Basara, Zharko Jovanoviç, por edhe ndaj sekretares së Ivanoviçit, Sillvana Arsoviç dhe Marko Roshiç, qytetar i Mitrovicës së Veriut.
Më 19 tetor 2022, Policia e Kosovës arrestoi pjesëtarin e komunitetit serb, M.M., nën dyshimet se ai është anëtar “i një grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen. Edhe Zyra e Prokurorisë Speciale e Serbisë po kryhen hetime për vrasjen e Ivanoviçit.