
Rreth 6.5 miliardë dollarë është shuma që është mbledhur nga Konferenca e Donatorëve në Varshavë, shumë e cila do të shkojë në ndihmë të Ukrainës së shkatërruar nga lufta. Shifrën e lekëve të mbledhura e ka bërë me dije kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki.
Në këtë konferencë donatorësh merrte pjesë dhe kryeministri Edi Rama dhe Shqipëria dhuroi një milion euro në ndihmë të Ukrainës.
Konferenca e Donatorëve për Ukrainën u organizuar në bashkëpunim nga Kryeministri i Polonisë Mateusz Moraëiecki dhe Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson, në partneritet me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta. Konferenca do të diskutojë masa konkrete për t’ju përgjigjur fatkeqësisë humanitare të shkaktuar nga lufta, ku sipas vlerësimit të OKB-së, miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe strehim.