
Presidenti francez Emmanuel Macron ka konfirmuar se do të garojë për një mandat të dytë në krye të vendit përmes një "letre drejtuar francezëve" të enjten në mbrëmje.
"Ne po përjetojmë trazira me shpejtësi të paprecedentë: kërcënime për demokracitë tona, pabarazi në rritje, ndryshime klimatike, tranzicion demografik, transformime teknologjike. Le të mos gabojmë: Ne nuk do t'u përgjigjemi këtyre sfidave duke zgjedhur të tërhiqemi, apo duke kultivuar nostalgji. Do t'ia dalim duke e parë të tashmen me përulësi dhe kthjelltësi, duke mos hequr dorë nga guximi, vullneti dhe zgjedhja jonë për të ardhmen. Sfida është të ndërtojmë Francën e fëmijëve tanë, jo të ripërsëritim Francën e fëmijërisë sonë”, shkroi ai.
"Kjo është arsyeja pse unë kërkoj besimin tuaj për një mandat të ri si President i Republikës. Unë jam kandidati për të ndryshuar, me ju, një përgjigje unike franceze dhe europiane ndaj sfidave të shekullit. Unë jam kandidat për të mbrojtur vlerat tona. të cilat kërcënohen nga trazirat e botës. Unë jam kandidat që të vazhdoj të përgatis të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve tanë. Për të na mundësuar sot dhe nesër të vendosim vetë", shtoi ai.
Macron, aktualisht i mobilizuar në luftën në Ukrainë, priti deri në momentin e fundit për të zyrtarizuar kandidaturën e tij për mandatin e dytë, të cilin kandidatët duhet ta zyrtarizojnë para mbrëmjes së të premtes.