
Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman u shkarkua sot nga detyra nga kryeministri britanik Rishi Sunak. Kjo erdhi si pasojë e komenteve të saj për protesta pro-palestineze, për të cilat tha se janë shqetësuese.
Emri i Suella Braverman është lakuar për një kohë të gjatë edhe në Shqipëri, pas opinioneve të saj mbi çështjen e emigrantëve shqiptarë që hyjnë në Angli përmes detit me gomone.
Braverman, vajza e dy emigrantëve nga Kenya dhe ishujt Mauritius, ka qenë avokatja kryesore e Qeverisë në vitet e fundit, ku pasi u emërua sekretare e brendshme i shpalli “luftë” emigrantëve shqiptarë, të cilët kalojnë kanalin e La Manche, në kërkim të një jetese të ndryshme përtej brigjeve kontinentale. Emri i saj i vërtetë, është në fakt Sue-Ellen Cassiana “Braverman” Fernandes, por shkurtimisht njihet si Suella dhe ka lindur më 3 prill 1980 në Harrow të Londrës. Rrënjët politike Suella i mori nga e ëma, e cila ishte infermiere dhe pati garuar për të qenë deputete në Parlamentin britanik, por pa ia arritur.
Me ardhjen në tryezën e madhe të deputetëve, Braverman filloi të merrte zë, mbi të gjitha mbi çështjen e Brexit, për të cilën ajo ishte mbështetëse e fortë. Më pas, me ardhjen e Boris Johnson në krye të konservatorëve dhe Qeverisë, ajo u bë këshilltarja kryesore e Qeverisë në çështjet ligjore. Me rënien e Johnson dhe tërheqjen e tij nga posti, Suella kërkoi të futej në garën e konservatorëve për kryetare të partisë, por nuk arriti të kualifikohej në duelin final mes Liz Truss dhe Rishi Sunak. Pavarësisht kësaj, pas fitores së Truss, Braverman u shpërblye me postin e sekretares për Punët e Brendshme, të cilin e mbajti nga 6 shtatori 2022 deri më 19 tetor 2022, kur edhe u tërhoq, nën pretendimin se kishte thyer kodin e brendshëm ministror, pasi kishte dërguar disa email-e nga provili i saj privat, për të lobuar për vota mbi një projektligj (gjë e palejuar në Britani).
Dorëheqja e saj do të çonte edhe në rrëzimin e Qeverisë së Truss, e cila u tërhoq nga detyra si kryeministrja më jetëshkurtër në historinë e Britanisë, me 45 ditë. Por, kur u mendua se edhe për Braverman gjithçka kishte përfunduar në aspektin ministror, me ardhjen e Rishi Sunak në pushtet, vetëm një javë më pas, ajo u rikthye në post.
Deklaratat e saj për shqiptarët dhe reagimet
Braverman shpeshherë ka fajësuar emigrantët për problematikat e Brendshme të Britanisë, ku gjithashtu shumë herë ka veçuar shqiptarët të cilët i cilësoi si pushtues dhe kriminelë. Deklaratat e saj kundrejt shqiptarëve u pritën me protesta ku shqiptarët e Londrës mbanin pankanrta me mesazhin se “janë shqiptarë, punojnë e paguajnë taksa”. Ajo gjithashtu propozoi dërgimin e emigrantëve në Ruandë në kampet që ka ndërtuar Britania për emigrantët. Ndaj kësaj deklaratave të saj asokohe reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili i konsideroi deklaratat e saj si të turpshme, duke shtuar se ishte përgjegjësi e Britanisë që të bashkëpunonte për të menaxhuar situatën me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.