Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zbuluar detaje të reja nga prapaskenat e takimit trepalësh në Ohër me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç nën drejtimin e dy përfaqësuesve të BE-së, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Në një postim në Twitter, Kurti shkruan se Vuçiç ka refuzuar ofertën e tij për “vetëmenaxhim” të serbëve të Kosovës pas refuzimit të nënshkrimit të Marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel dhe para se të refuzojë planin e propozuar në Ohër.
“Pas refuzimit të nënshkrimit të Marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe para se të refuzonte përsëri nënshkrimin e saj me Aneksin e 18 Marsit, presidenti i Serbisë refuzoi ofertën time bujare të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës në një asociacion që unë do ta hartoja dhe propozoja. A është ai Dr. Jo apo z. Nyet? E dimë që ai nuk është mjek”, shkruan Kurti.
Të shtunën shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE.