Kryeministri sllovak Robert Fico ka ritheksuar kundërshtimin e tij ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Përmes një postimi në X, Fico shkruan: “Kur, që nga fillimi i luftës, e refuzova anëtarësimin e Ukrainës në NATO si një parakusht themelor për t’i dhënë fund konfliktit, u kryqëzova publikisht. Sot, fakti që Ukraina nuk do të jetë në NATO merret tashmë si i mirëqenë.””
Krahas shkrimit ai ka publikuar edhe një video tre-minutëshe , ku thekson se për të arritur paqen në fund, duhet të pranohet që vendi nuk mund të bëhet anëtar i NATO-s.
Fico është një nga liderët evropianë më kritikë ndaj përfshirjes perëndimore në luftën Ukrainë-Rusi dhe ka kundërshtuar në mënyrë kategorike që të dërgojë armët ose trupat e tyre për të ndihmuar Kievin. Megjithatë, sipas një artikulli të Politico të publikuar vetëm një ditë më parë, kompanitë private sllovake të armëve, po përfitojnë miliona, ndërsa Fico duket se shpërndan narrativën e Kremlinit në Europë.
Në vitin 2024, eksportet e armëve të Sllovakisë u rritën në 1.15 miliardë euro. Kjo është rreth 1 përqind e ekonomisë së vendit, dyfishi i shkallës së vitit 2023 dhe 10 herë më shumë se shuma që nga koha para se Rusia të niste pushtimin e saj të plotë kundër Ukrainës në vitin 2022.